Ish-presidenti i Kosovës dhe kryetari i nderit i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka deklaruar se Isa Mustafa është fajtori kryesor për humbjen e Prishtinës, duke thënë se u dëshmua se kryeqyteti nuk mund të fitohet me duar në xhepa dhe me mallkime.

Sejdiu ka bërë me dije se ka presion nga anëtarësia që të marrë udhëheqjen e partisë dhe ka konfirmuar se në rastin e parë që do të krijohen rrethanat do të shpallë kandidaturën për kryetar të LDK-së.

Rezultatin e zgjedhjeve në Prishtinë ish-presidenti e ka konsideruar një përgjigje të elektoratit ndaj qeverisjes së liderit të LDK-së, Isa Mustafa, të cilin ai e kishte paralajmëruar që në janar të vitit të kaluar për diçka të tillë.

“LDK ka fituar një numër të madh të komunave, por e ka humbur kryeqytetin. Ky është një sinjal alarmues për LDK-në dhe për këtë duhet të ketë një arsyetim. Humbja e Prishtinës nuk mund të arsyetohet”, ka thënë Sejdiu në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka thënë gjithashtu se i di mirë zhvillimet në parti, duke theksuar se duhet të flitet hapur për humbjen në Prishtinë dhe t’i bëhet një analizë rezultatit të zgjedhjeve. Fitoren e LDK-së në disa komuna të mëdha, Sejdiu nuk e ka vlerësuar si një meritë të partisë, por të kandidatëve.

Top Channel