Qeveria e Kosovës është zotuar se do të ketë rritje të pagave për vitin 2014, por pa saktësuar përqindjen e rritjes.

Mirëpo dilemat se sa do të jetë rritja e tyre i ka hequr Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) me publikimin e saj për Kosovën, që ka nënvizuar shkurt se rritja e pagave për këtë vit nuk do të jetë më shumë se 14 për qind.

Se sa do të jetë kjo ngritje e pagave për të gjithë shërbyesit në institucionet e Kosovës si arsim, shëndetësi, polici, FSK, e të gjitha nivelet tjera, nuk e ka treguar as ministri i Financave, Besim Beqaj, i cili ka thënë vetëm se ajo do jetë në bazë të meritave.

Ndërsa në projektbuxhetin për vitin 2014 janë paraparë 484 milionë euro në llogarinë e pagave, që janë 45 milionë më shumë sesa vitin e kaluar që ishin 439 milionë për paga.

Në publikimin e FMN-së thuhet gjithashtu se analiza e përqindjes së saktë të rritjes së pagave nuk është caktuar akoma dhe se ajo varet, ndër të tjerash, edhe nga koha e saktë e rritjes së tyre, por parametrat e caktuar në buxhet sigurojnë rritjen e përgjithshme mesatare që nuk do të kalojë 14 për qind.

Ndërsa në baza vjetore, rritja është e volitshme, ajo ndjek pagat nominale të vazhdueshme në vitin 2013 dhe 2014, por mbulon edhe 2015-ën.

Top Channel