Komuna e Mitrovicës Veriore pritet të lirohet nga simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë në mbledhjen inauguruese të saj.

Këshilltarja komunale Adriana Hoxhiç tha nëpërmjet telefonit se kryetari Kërstimir Pantiç është duke përgatitur ftesa të thjeshta, në të cilat do të shkruhet vetëm njoftimi për mbajtjen e mbledhjes së parë të Kuvendit Komunal.

Sipas Hoxhiç, e njoftuar nga asistenti i Kërstimir Pantiç, në ftesë nuk do të ketë logo apo vulë të Republikës së Kosovës. Këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Emir Azemi, tha se këshilltarët janë informuar që mbledhja do të mbahet këtë të premte, në ditën kur afati ligjor përfundon.

Për shkak të Krishtlindjes Ortodokse, ftesat priten t’u dërgohen këshilltarëve komunalë të mërkurën. Në këtë pikë, gjërat duket se nuk po bëhen në koordinim me qeverinë e Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, tha se është i informuar se po bëhen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes inauguruese në veri, por ftesat nuk janë dorëzuar ende në ministri.

Qeveria e Kosovës insiston në respektimin e kuadrit ligjor dhe për këtë kërkon edhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Në seancën e fundit, zgjedhjet janë mbajtur në të gjithë territorin e Kosovës, edhe si produkt i marrëveshjeve të Brukselit dhe tashmë bashkësia ndërkombëtare ka detyrimet e saj karshi kësaj marrëveshjeje, ndaj dhe unë besoj se gjithsecili do të punojë nga perspektiva, kuadri dhe mandati i vet, që marrëveshja të realizohet. Nëse kjo nuk ndodh kështu, atëherë duhet të dihet edhe adresa e dështimit të respektimit të marrëveshjes”, tha Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Adminsitrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL).

Por, çfarë ndodh nëse kryetarët e komunave me shumicë serbe nuk bëjnë betimin brenda afatit ligjor?

“MAPL, në radhë të parë ka për detyrim të informojë qeverinë e Republikës së Kosovës lidhur me rezultatet, me opinionet ligjore dhe gjendjen në terren, dhe karshi këtij informacioni të besuar natyrisht nga një dikaster përkatës brenda qeverisë, qeveria do të marrë vendimin e vet në pajtim me ligjin. Nga perspektiva e ministrisë, sigurisht që ne do të dëshironim që kjo të ndodhë tani, që të zgjedhurit të marrin mandatin dhe të kryejnë detyrimet e tyre, por më shumë se kaq, interes më i madh dhe më i rëndësishëm obligativ është që kjo të ndodhë brenda kuadrit ligjor. Për ne nuk do të jetë me rëndësi se kush do të jetë në ato pozita, por që ata njerëz të jenë në gjendje, të kenë vullnetin, të kenë kuptuar obligimin dhe të marrin detyrat e përgjegjësitë e mandatit të tyre në pajtim me ligjin”, shtoi Besnik Osmani.

Janë gjithsej pesë komuna në Kosovë, të cilat akoma nuk kanë mbajtur mbledhjet e tyre inauguruese. Problemi qëndron te komunat në veri të Kosovës, në veçanti ajo e Mitrovicës Veriore.

Kryetari i saj Kërstimir Pantiç provokoi ditë më parë asambleistët shqiptarë, duke u dërguar atyre ftesa me përmbajtje të fusnotës dhe rezolutës 1244, simbole serbe, të gjitha këto në kundërshtim të plotë me kushtetutën e Kosovës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta