“The Wolf of Wall Street”, rekord fjalësh të pahijshme

06/01/2014 00:00

“The Wolf of Wall Street” është një sukses aktual i kinematografisë botërore, shfaqja e të cilit po vijon në gjithë rrjetin e kinemave “Imperial”.

Filmi duket të jetë kthyer në një nga epiqendrat e shtypit rozë për arsye se gjatë tij thuhen 506 herë fjalë të pahijshme. Filmi që ka bashkuar dy emra të njohur hollivudianë: Martin Scorsese në regji dhe Leonardo di Caprio në rolin kryesor, ka marrë një lumë kritikash pozitive për realizimin dhe lojën e arrirë.

Por, nga ana tjetër është komentuar negativisht edhe fjalori i përdorur në të, për të cilin mediat shkruajnë se çdo 20 sekonda film thuhet një fjalë me pullë të kuqe.

Mediat shkruajnë se regjisori Scorsese, fitues i çmimit Oskar, ka tejkaluar kësisoj filmin “Summer of Sam” me regji nga Spike Lee, i cili kryesonte klasifikimin që prej 14 vitesh me 435 fjalë të pahijshme të thëna gjatë tij.

Ndërkaq, për Scorsesen ky nuk është filmi i parë ku mbizotëron fjalori i tillë. Më herët, në filmin “Casino” janë numëruar rreth 422 fjalë të tilla dhe po në një tjetër film të tij, atë me titull “Djemtë e mirë” janë thënë 300 fjalë duke e renditur filmin në vendin e 11 ndër filmat me më shumë fjalë të pakëndshme.
 

Top Channel