“Mos eja nëse nuk je gati të thuash: Më falni për krimet dhe genocidin”, ishte një ndër apelet e kryetarës së komunës së Gjakovës, Mimoza-Kusari-Lila për ministrin serb për Kosovën, Aleksandar Vulin, i cili kishte kërkuar që për Krishlindjet Ortodokse të vizitonte kishën serbe të Gjakovës.

Në një letër publike tepër të ashpër, kryetarja Kusari Lila i kujton Vulinit viktimat, jetimët dhe të zhdukurit e luftës.

“Mos eja, se nuk ka forcë që e ndal mllefin dhe hidhërimin e familjeve të cilat ende presin lajm për më të dashurit e tyre. Mos eja nëse nuk je gati të thuash ‘Më falni për krimet dhe gjenocidin’. Në Gjakovë mund të vish vetëm duke kërkuar faljen zyrtare nga shteti.

Mos eja, se askush nuk e trazon kishën, ndërsa ardhja jote do të ndikojë keq edhe në qetësinë e kishës ortodokse. Mos eja nëse mendon se procesi i dialogut duhet të ketë sukses. Ardhja jote e rrezikon vijimësinë e dialogut për arsye se do t’u japë të dyja palëve motive të distancohen nga njëra-tjetra.

Mos eja nëse mendon se shteti juaj është në rrugë drejt BE-së dhe nëse synon respektimin e standardeve të BE-së. Unë do të kërkoj zyrtarisht moslejimin e ardhjes tënde në Gjakovë.

Nuk je gati për këtë ardhje dhe nuk jemi gati të të presim. Ne shqiptarët mikpritjen e kemi atributin kryesor, por me ty, me ju, ende nuk mundemi, nuk është koha, nuk janë kushtet, nuk jeni gati”, thotë Lila në letër.

Paralajmërimi i vizitës së ministrit serb në Gjakovë kishte nxitur edhe protesta të qytetarëve. Pas kësaj, kryetarja e Gjakovës kishte kërkuar nga Ministria e Punve të Brendshme që të ndalohej kjo vizitë, ndërkohë që vetë ministria njofton se vendimi për rrefuzimin e vizitës së Vulin në ‘Rrafshin e Dukagjinit’ ishte marrë më datë 3 janar.

Në mëngjesin e së hënës kryetarja Kusari-Lila kishte qëndruar pranë kishës ortodokse serbe duke bashkëbiseduar me qytetarët e mbledhur, nga ku u apelua për qetësi dhe angazhim të gjithanshëm me qeverinë qendrore dhe bashkësinë ndërkombëtare, për parandalimin e vizitës së ministrit serb.

Pas kontaktit me Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryetarja u informua se MPB-ja ka ndaluar ardhjen e Vulinit në Gjakovë. Kryetarja nëpërmjet një deklarate ka falenderuar qeverinë e Kosovës dhe në veçanti ministrin e Brendshëm për ndalimin e vizitës së Vulin. Vizita e tij gjatë Krishtlindjeve Ortodokse do të zhvillohet në komunën e Graçanicës.

Gjakovë, protestë qytetare, por edhe arrestime

Policia e Kosovës arrestoi katër persona pas protestës qytetare në Gjakovë, kundër vizitës së pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të këtij qyteti.

Në një komunikatë për media, policia e rajonit të Pejës njofton se janë iniciuar gjashtë procedura dhe janë arrestuar katër persona, ku edhe prokurorët mbikqyrën punën e policisë në iniciimin e procedurave penale.

“Rreth orës 13:00, autokolona prej dy autobusëve me rreth 70 pelegrinë ka arritur në Gjakovë. Me të hyrë në rr. “MbretëreshaTeuta”, përkundër masave të sigurisë, një person ka gjuajtur me gurë autobusin duke dëmtuar xhamin e parë, e menjëherë pas kësaj qytetarët kanë vendosur një veturë në rrugë, duke e bllokuar atë.

Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe, lidhur me rastin, janë marrë masat e domosdoshme, duke liruar menjëherë rrugën, thuhet në komunikatën e Policisë.

Të qetë nuk ishin as serbët. Sipas policisë, një pelegrin serb ka hedhur gurë dhe ka dëmtuar një makinë civile. Edhe ndaj këtij rasti është iniciuar procedurë penale.

Në protestë morën pjesë katër mijë qytetarë, të cilët kishin planifikuar të parandalonin hyrjen e pelegrinëve në kishë. I lartë ishte edhe numri i forcave të rendit, për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA