
Aksidenti i Kancelares gjermane, Angela Merkel, ka ndodhur gjatë pushimeve të Krishtlindjes, në Dhjetor, dhe ajo nuk ishte në dijeni se kishte pësuar një frakture të legenit.
Kjo u zbulua të premten, pas vizitës te mjeku i saj, ku mësoi se dëmtimi nuk ishte aspak i lehtë.
Zëdhënësi i saj, Steffen Siebert, nuk dha detaje mbi aksidentin, që ndodhi në afërsi të resortit të St Moritz, ndërsa ajo bënte ski.
Ai foli për hematoma, që lidheshin me frakturën e pjesshme në anën e majtë të legenit. Në kohën kur ndodhi rrëzimi në dëborë, ajo nuk ishte me shumë shpejtësi.
Kirurgu i njohur dhe zv/drejtori i Ortopedisë në Spitalin e Berlinit, Stefan Ahrens, tha se me shumë gjasa Merkel do t’i shpëtojë ndërhyrjes kirurgjikale.
Kancelarja gjermane synon të drejtojë mbledhjen e kabinetit të mërkurën, e para e ministrave të koalicionit qeverisës. Aktualisht, ajo lëviz me ndihmën e patericave.
Kancelarja gjermane anuloi udhëtimin në Poloni, këtë javë, dhe nuk mund të presë kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, në Berlin.
Aksidenti i saj në dëborë ishte një lajm tronditës për gjermanët, të cilët po ndjekin me shumë vëmendje gjendjen shëndetësore të Michael Schumacher, që goditi kokën ndërsa bënte ski në Alpet franceze.
Ai ndodhet aktualisht në koma farmakologjike, pas ndërhyrjes kirurgjikale në kokë. Dëmtimi i kampionit të Formula 1 zgjoi debatin për shpejtësinë e përdorur nga skiatorët në pjerrësi dhe rreziqet që marrin mbi vete.
Top Channel