Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës njoftoi se ka ndaluar një
vizitë të ministrit serb pa portofol Aleksander Vulin në komunën e
Gjakovës, ndërkohë që ai do të lejohet të vizitojë Patriarkanën e Pejës,
si dhe të shkojë në Mitrovicë e Gracanicë.

Në një komunikatë për shtyp sqarohet se Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, më datë 3 janar 2014 ka marrë vendim për të refuzuar vizitën e z.Vulin në komunën e Gjakovës, e parashikuar për datat 6 dhe 7 janar 2014. Për Krishtlindjet Ortodokse serbe.

Ministri Rexhepi i ka drejtuar një letër për këtë qëllim shefit të Zyrës së BE-së në Kosovës, Samuel Zbogar. Në letër thuhet se Vulinit do t’i sigurohet shoqërimi nga Policia e Kosovës gjatë hyrjes dhe daljes në pikën kufitare te Merdares ku ai duhet te kaloje sipas ligjeve te Kosovës, por nuk do t`i lejohen shoqëruesit e armatosur.

Deklarata per shtyp erdhi pasi kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila kishte postuar në Facebook një informacion lidhur me angazhimin e saj për të mos e lejuar Vulinin të shkojë në Gjakovë dhe kerkesën drejtuar ministrit Rexhepi. Qindra qytetarë të Gjakovës ishin mbledhur afër objektit të Kishës Ortodokse serbe në Gjakovë për të kundërshtuar ardhjen e paralajmëruar të ministrit të Serbisë pa portofol për Kosovën.

Aty janë grumbulluar edhe forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Në protestë kanë dalë edhe nënat që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë luftës së fundit, por janë parë edhe pjesëtarë të partive lokale politike, si nga lëvizja Vetëvendosje ashtu edhe nga PDK-ja. Qytetarët edhe një herë i ka garantuar kryetarja, Mimoza Kusari-Lila, se vizita e ministrit Vulin është anuluar.

Por ministri serb insiston të shkojë në Deçan dhe në Gjakovë pavarësisht se nuk ka leje. Aktualisht ai ndodhet në një lokal në Graçanicë, ku ndodhen edhe zyrat e SlS-së. Ai mbërriti në Graçanicë nga pika kufitare Dheu i Bardhë dhe nuk u ndal fare në manastirin e komunës.

Nga biseda e Top Channel me njërin nga shoqëruesit e tij mësohet se Vulin thotë se do të shkojë në Deçan. Këtë ia treguan edhe patrullës policore. Ndërkohë, patrulla që shoqëron Vulin ka marrë urdhër ta shoqërojë atë deri në Pejë.

Top Channel