
“Kuvendi dhe qeveria e Kosovës duhet të analizojnë problemet që kanë ndodhur gjatë procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, të gjejnë shkaqet e dështimit, në mënyrë që të gabimet që kanë ndodhur mos të përsëriten”.
Kështu thonë anëtarët e komisionit për buxhet dhe financa dhe ekspertët për çështje ekonomike, pas dështimit të procesit të privatizimit të PTK-së.
Muhamet Mustafa, anëtar i komisionit për ekonomi dhe financa në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kompetente duhet të jenë më të përgatitura për procesin e ri të privatizimit.
Në dokumentet e transaksionit, sipas tij, ekziston një bazë që autoriteti kontraktues, në këtë rast qeveria, ka të drejtë të ndërpresë procesin e privatizimit në cilëndo fazë.
Që nga fillimi i procesit të privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, i cili kishte filluar në vitin 2009, e deri më tani, qeveria e Kosovës ka shpenzuar rreth 8 milionë euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjikë.
Javën e kaluar komapania gjermane “ACP Axos Capital” reagoi pas dështimit të pivatizimit duke deklaruar se të gjitha vonesat në këtë proces ishin shkaktuar nga qeveria e Kosovës.
“Vendimi përfundimtar nga qeveria e Kosovës, që në mënyrë të papritur dhe pa arsye të ndërpresë procesin e privatizimit, është krejtësisht i papranueshëm dhe në kundërshtim me çdo standard ligjor ndërkombëtar. Kjo do të ketë pasoja ligjore, tregtare, ekonomike dhe financiare për qeverinë e Kosovës dhe Kosovën në përgjithësi”, thuhej në një deklaratë të kompanisë.
Top Channel