
Një grua amerikane që u përfshi në një komplot për vrasjen e një artisti suedez karikatura e të cilit ofendoi myslimanët është dënuar me 10 vjet burg.
Colleen LaRose, 50 vjeç, që u njoh ndryshe si “Jihad Jane”, pranoi në vitin 2011 se ishte përpjekur të vriste Lars Vilks dhe se kishte rekrutuar persona të tjerë për planin e saj.
Fillimisht ajo u përball me burgim të përjetshëm, por gjyqtari ia reduktoi dënimin pasi ajo bashkëpunoi me hetuesit. “Nuk dua të jem më pjesë e xhihadit”, tha LaRose gjatë seancës gjyqësore.
Zoti Vilks u vu në shënjestër pasi vizatoi një karikaturë që e portretizonte profetin Muhamed si një qen. Militantët islamikë në Irak ofruan 100 mijë dollarë mbi kokën e tij, por artisti nuk u sulmua kurrë.
Prokurori bëri të ditur se LaRose bashkëpunoi me autoritetet pas arrestimit, por ai i kërkoi gjykatësit që ta dënonte me dy dekada burg, pasi sipas tij ajo mbetet një person i rrezikshëm.
Ndihmës prokurorja Jennifer Arbittier Williams i tha gjykatës se LaRose e braktisi planin e grupit ekstremist në Irlandë pas gjashtë javësh jo sepse mendoi një plan më të mirë, por sepse u shqetësua pasi bashkëpunëtorët e saj nuk po tregonin gatishmëri të mjaftueshme për aksion.
Ndërsa avokati mbrojtës argumentoi se klientja e tij kishte kuptuar doktrinën paqësore të Islamit dhe se kishte përjashtuar çdo mundësi që të përfshihej në një luftë të dhunshme.
Top Channel