Taksat e reja rrisin çmimet

05/01/2014 00:00

Qytetarët janë përballur këtë fillimviti me rritjet e para të çmimeve në treg si pasojë e rëndimit të taksave. Nga 1 janari ka hyrë në fuqi paketa e re fiskale, e cila rrit taksat për një sërë produktesh si karburantet, cigaret apo dhe pijet energjike.

Por, reflektimi i tyre në treg nuk ka qenë i njëjtë. Për naftën dhe benzinën, në disa pika me pakicë, çmimi i shitjes ka mbetur i pandryshuar, ashtu si përpara datës 1 janar. Ndërsa, në disa të tjera ai është rritur nga 6 deri në 8 lekë për litër.

Tregtarët thonë se rritja e taksave nuk është përcjellë e plotë në çmim pasi në treg ende tregtohet pjesë e rezervave të zhdoganuara përpara 1 janarit. Por, ata thonë se në ditët në vijim çmimi do të shtrenjtohet sërish, derisa të përcjellë të plotë rritjen me 10 lekë të taksës së qarkullimit dhe efektin me 2 lekë të tatimit mbi vlerën e shtuar.  

Por, teksa tregu i karburanteve ka qenë i përmbajtur në rritjen e çmimeve, ndryshe ka ndodhur me atë të cigareve, ku çmimet janë rritur me ritme të forta, deri dhe dy herë më shumë sesa taksa. Me paketën e re fiskale, qeveria e rriti akcizën e cigareve me 20 lekë për paketë, që së bashku me efektin nga tatimi mbi vlerën e shtuar e rëndon koston e tyre me 24 lekë. Por, për disa marka cigaresh tregtarët e kanë rritur çmimin me 50 lekë, mbi dy herë më shumë se sa shtesa e taksës. Diferenca shkon si fitim shtesë për tregtarët.  

Rritja abuzive e çmimit të cigareve

Në të gjithë paketën rënduese të taksave, rritja e barrës për cigaret ishte ajo më pak e kundërshtuara nga publiku. Qeveria tha se të ardhurat shtesë do i mundësojnë asaj të vërë nën kontroll financat, por edhe të rrisë shpenzimet për shëndetësinë.

Por, shtrenjtimi i çmimeve në treg dy herë më shumë sesa rritja e taksës do të thotë se gjysma e kostos shtesë që po paguajnë qytetarët nuk do të shkojë në buxhet apo për spitalet, por shkon si fitim për tregtarët. Tregu i cigareve në Shqipëri është i dominuar nga disa kompani, të cilat kanë licencat eskluzive të tregtimit nga prodhuesit e tyre.

Për shkak të specifikave, në shumë vende të Botës shitja e cigareve i nënshtrohet rregullave të forta. Madje, disa nga vendet, edhe ato të zhvilluara, e mbajnë tregtimin e tyre si monopol shtetëror ose përcaktojnë çmimin fundor të shitjes.

Ndërsa, në vende të tjera ku tregu është i liberalizuar, qeveritë ushtrojnë kontrolle të forta për të mos lejuar abuzimet. Në vitin 2008, Zyra për Tregtinë e Ndershme në Britani fillimisht akuzoi dhe më pas gjobiti me 225 milionë paund kompanitë më të mëdha të cigareve për fiksim të çmimit në dëm të konsumatorëve.

Edhe në atë rast dyshimet lindën pasi rritja e çmimeve në treg ishte dukshëm më e lartë nga ajo e taksave. Në tregjet e vogla si Shqipëria, ku strukturat antimonopol janë të dobëta dhe joeficente, duket se kompanitë e kanë më të lehtë t’i kontrollojnë tregjet dhe diktojnë çmimet.    

Top Channel