Bersani pëson hemorragji cerebrale

05/01/2014 00:00

Ish-sekretari i Partisë Demokratike të Italisë, Pier Luigi Bersani, është goditur në moshën 62-vjeçare nga një hemorragji cerebrale gjatë mëngjesit të së dielës.

Rreth orës 11 ka marrë ndihmën e shpejtë në Piaçenca, i shoqëruar edhe nga e shoqja dhe i vëllai. Ndihej i pafuqishëm dhe kishte pasur të vjella. Ndërsa mjekët, pasi i kanë kryer disa teste, kanë dalë në konkluzionin se ai kishte pësuar një hemorragji të lehtë cerebrale.

Bersani, i cili nuk i ka humbur ndjenjat, u transferua për në Urgjencën e Parma-s, një prej strukturave më të rëndësishme shëndetësore italiane, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Mesazhe solidariteti i mbërritën atij nga të gjithë kolegët politikanë, që nga presidenti i Republikës, por edhe nga njerëzit e thjeshtë, që po ndjekin me ankth gjendjen e tij shëndetësore.

Politikani, që për një kohë të gjatë ka qenë lider i së majtës italiane, ka lindur në vitin 1951 në provincën e Piaçencës, në një familje të thjeshtë.

Pas diplomës për filozofi në Bologna, dashuria për politikën e çoi në vitin 1993 në krye të Këshillit të Rrethit Emilia Romagna, me Partinë Komuniste.

Ai ka qenë deputet për herë të parë në vitin 2001, e më tej në legjislaturat e mëpasshme.

Ka qenë ministër i Industrisë, i Transporteve dhe i Zhvillimit Ekonomik, ku ka arritur të bëjë disa reforma, që ende janë në fuqi dhe janë bërë në favor të konsumatorëve.

Pas një pamjeje disi të hirtë dhe qëndrimi shumë të matur, fshihet një natyrë tjetër. I famshëm episodi i vitit 2006, kur do të vendosej nëse do bëhej ministër i qeverisë së kryesuar nga Romano Prodi.

Ndërsa diskutohej për të, Bersani vazhdoi të shihte deri në fund koncertin e grupit rock, AC/DC, sepse adhuron muzikën rock, por dhe grupin Metallica.

Top Channel