
Qeveria siriane ka zgjeruar fushatën intensive të sulmeve ajrore në zonat e kontrolluara nga rebelët, kryesisht në qytetin verior të Aleppo-s, duke ndërmarrë një seri sulmesh e duke vrarë të paktën 26 persona, sipas grupit monitorues.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) bëri të ditur gjatë së hënës se 12 burra, 11 fëmijë dhe 3 gra janë vrarë, kur helikopterët e ushtrisë siriane kanë bombarduar periferitë në lindje të Aleppo-s.
Zonat e kontrolluara prej rebelëve në qytet kanë qenë shënjestër e një sërë sulmesh ndëshkuese me fuçi baruti nga ushtria e Sirisë gjatë 3 ditëve të fundit, duke lënë të paktën 36 persona të vrarë të dielën dhe 85 të vrarë të shtunën, sipas organizatës joqeveritare.
SOHR ka njoftuar se Janari ka qenë muaji më i përgjakshëm në konfliktin 3-vjeçar, me rreth 5794 të vdekur të shënuar, edhe pse ky numër nuk konfirmohet në mënyrë të pavarur prej “Al Jazeera”-s, për shkak të kufizimeve të raportimit nga brenda Sirisë.
Sulmet ajrore, të cilat kanë ardhur pas një presingu të ushtarëve të qeverisë drejt pjesëve lindore dhe veriore të qytetit, kanë shkaktuar një eksod masiv të civilëve, ka bërë të ditur Rami Abdel Rahman, kreu i SOHR, me qendër në Londër.
“Rezidentët e rajoneve lindore kanë nisur të braktisin shtëpitë prej 3 ditësh tashmë, pasi shpeshtësia e sulmeve me fuçi baruti është rritur”, tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.
Ky lloj sulmi, i zgjedhur nga regjimi sirian kundër rebelëve, ka vrarë të paktën 700 persona në Siri gjatë 6 javëve të fundit. Përdorimi i fuçive me bomba është denoncuar si i pakontrolluar, apo që nuk bën dallime mes civilëve e rebelëve, një gjë që u tregua edhe nga fuqitë perëndimore javën e kaluar, në bisedimet e paqes në Zvicër.
Fuqitë perëndimore propozuan një rezolutë të Këshillit të Sigurisë në OKB, në Dhjetor, që do të dënonte përdorimin e fuçive me bomba, që sipas tyre shënjestrojnë pa dallim edhe civilët. Por Rusia, një aleat i hekurt i presidentit Bashar al-Assad, ka bllokuar vazhdimisht të tilla plane në KS.
Top Channel