
“Do kisha pasur qejf ta takoja vetëm në gjyq. Mendoj se organet e drejtësisë, vendore e ndërkombëtare, duhet të sjellin para drejtësisë e të gjykojnë drejtë, e të marrin një vendim të drejtë, për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këto krime dhe kanë përgjegjësi në çfarëdo lloj forme”, thotë Shpend Hasanaj, dëshmitar i ngjarjeve të 3 dhe 4 Shkurtit 2000, në Mitrovicë.
Në këtë mënyrë do ta përmbledhë rrëfimin, njëri nga shqiptarët që i mbijetoi masakrës së tre dhe katër Shkurtit, të kryer nga serbët në veri të Mitrovicës, në vitin 2000.
Shpend Hasanaj, nga Mitrovica, në përvjetorin e 14 të ngjarjes, duket se ka një arsye më shumë për të folur për të.
Thotë se, ndonëse në izolim në banesën e fqinjit, ka arritur që në mesin e shumë serbëve ta identifikojë edhe Oliver Ivanovic, i arrestuar nga EULEX, si i dyshuar për vrasjen e një shqiptari në këto ngjarje.
Sipas rrëfimit që sjell Hasanaj, Ivanovic ishte koordinator i grupit të serbëve, që – të frikësuar nga çlirimi i Kosovës në atë kohë – kishin vënë në shënjestër shqiptarët e veriut.
“Para derës sime kanë qëndruar 10-12 vetë, mes të cilëve kam dalluar qartë edhe Oliver Ivanovic, i cili ka pasur në dorë një radiolidhje. Në banesën e Hysenit, serbët kanë dëgjuar një shpërthim eksplozivi në korridorin e tij dhe Hyseni ka nxjerrë armën. Në këtë moment grupi i serbëve ka zbritur shkallët, ndërsa njëri prej tyre, prej frikës, është ngjitur sipër për të shkuar në tarracë. Kjo lidhjet me vrasjen që, kur grupi ka zbritur poshtë kanë menduar se ka munguar njëri prej tyre dhe banorët shqiptarë në atë hyrje e kanë marrë peng serbin dhe janë kthyer mbrapsht për negociata për lirimin e tij. Të dy palët, serbë e shqiptarë, kanë kërcënuar njëri-tjetrin. Këtë debat e kam vërejtur, ashtu sikurse dhe Oliver Ivanovic me radiomarrës, që ka koordinuar të gjithë punën në grup”, kujton dëshmitari Hasanaj.
Gjithçka ishte kryer në prezencën e forcave ndërkombëtare. Edhe dëbimi i shqiptarëve nga veriu ishte mundësuar nga KFOR-i francez. Në njërën anë serbët dëbonin me dhunë, e në anën tjetër francezët ndihmonin evakuimin e banorëve.
Mirvete Hoxha, Shirine Kralani, Jashar Jashari e Gani Xhaka, janë katër nga viktimat, të cilët kishin përjetuar në trupin e tyre dhunën e serbëve, në datën 3 dhe 4 Shkurt të vitit 2000. Deklaratat, pesha e të cilave nuk mund të humbasë deri sa drejtësia të thotë fjalën e saj, janë transmetuar në Top Channel në Janar të vitit 2011.
Janë të shumtë emrat e serbëve, të cilët përmenden nga shqiptarët si pjesëmarrjës të ngjarjeve të Shkurtit në Mitrovicë. Por, deri më tani, zyrtarisht, është vetëm një i arrestuar, Oliver Ivanovic, si i dyshuar në këto ngjarje, por edhe për krime lufte të kryera në vitin 1999.
Top Channel