
Moti i keq me stuhi dhe dëborë pritet të përshkojë pjesë të shumta të Mbretërisë së Bashkuar gjatë fundjavës, edhe pse komunitetet bregdetare u goditën më herët nga përmbytjet dhe nuk kanë marrë ende veten.
Autoritetet kanë paralajmëruar banorët për rrezikun që u kanoset, duke përsëritur disa herë apelet në lokalitetet Dorset dhe Gloucestershajër, ndërkohë që një stuhi pritet të bjerë më vonë në Forth të Skocisë.
Ditën e premte qindra shtëpi u përmbytën dhe banorët u evakuuan në Dorset dhe Ejbëristuith. Agjencia e Mjedisit ka bërë paralajmërime edhe për lokalitetet Uestbëri, Brodok dhe Njunhem.
Përmbytje masive pritet të ketë edhe në zona të tjera të Britanisë. Në Skoci, autoritetet kanë paralajmëruar banorët në Forth që të kenë kujdes pasi një stuhi e fuqishme mund t’i afrohet lokalitetit gjatë së shtunës.
Rreziku më i madh do të jetë rreth orës 16:00 me orën lokale, në zonat me reliev të ulët, sidomos në ato që ndodhen pranë lumit Esk, në Muselburg.
Ndërkohë, rrugët do të vazhdojnë të mbeten të mbyllura për shkak të përmbytjeve në zona të ndryshme të Britanisë, përfshirë jug-perëndimin e Anglisë, Kumbrian, jugun e Uellsit, Irlandën e Veriut dhe perëndimin e Skocisë.
Top Channel