Egjipt, 2014-a nis me dhunë

04/01/2014 00:00

Egjipti është sërish në darën e dhunës. Autoritetet vendase flasin për të paktën 13 të vrarë gjatë ndërhyrjes policore për shpërndarjen e mijëra përkrahësve të Vllazërisë Myslimane që kërkojnë kthimin në post të ish-presidentit Mohamed Morsi.

Vetë lëvizja islamike e vendos bilancin e vdekjeve në 17. Persona të pranishëm në manifestim rrëfejnë se forcat e rendit ndërhynë dhunshëm kundër personave të mbledhur në Kajro, Ismalia, Aleksandri dhe Gizë.

Zyrtarët kishin paralajmëruar më herët se nuk do të toleronin protesta të tjera pro-Vllazërisë Myslimane, pas shpalljes së grupit si organizatë terroriste muajin e kaluar.

Ministria e Shëndetësisë në Egjipt tha se pesë vetë u vranë në Kajro, por nuk sqaroi nëse viktimat ishin policë, protestues apo kalimtarë të rastit. Më shumë se 120 vetë njoftohet se janë arrestuar.

Pothuajse tre vjet nga revolta popullore që rrëzoi ish-presidentin Hosni Mubarak me shpresën e ndryshimit dhe të një jete më të mirë, Egjipti rrezikon sërish rikthimin e autoritarizmit.

Autoritetet e mbështetura nga ushtria kanë kufizuar lirinë e fjalës, kanë shtypur protestat dhe kanë arrestuar aktivistët. Një ligj i ri drakonian ndalon rreptësisht cdo demonstratë.

Revolucioni solli në pushtet organizatën islamike, por jo për shumë kohë dhe tani ajo vetë është kthyer në një subjekt studimi të katastrofës, që ishte në masë të madhe edhe faji i vetë.

Rezultati i revoltës në Egjipt sa vjen e qartësohet në formën e një polarizimi të dhimbshem të shoqërisë dhe nuk është cudi që në tokën e faraonëve ka uri të madhe për stabilitet dhe për një lider të ri të fuqishëm.

Mjaft egjiptjanë besojnë se regjimi ushtarak po vazhdon përpjekjet për të kontrolluar vendin dhe se idealet e atyre që kërkuan ndryshim u tradhëtuan, ndaj ndjesia e përgjithshme mes këtyre njerëzve është se revolucioni i Egjiptit mbetet cështje e papërfunduar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA