Acari mbërthen SHBA dhe Kanadanë

04/01/2014 00:00

Kushtet e ashpra atmosferike shkaktuan kaos këto ditë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, por më e keqja duket se ende nuk ka kaluar. Përgatituni për një acar që s’e keni parë prej të paktën një dekade, ishte paralajmërimi i Shërbimit Metereologjik Kombëtar në Amerikë.

Gati 140 milionë banorë do të preken nga një i ftohtë arktik i cili pritet të mbërrijë pikun të mërkurën. Minus 41 gradë celsius shënoi termometri në disa pjesë të Kanadasë dhe fronti i ftohtë përgjegjës për këtë situatë, tani po i afrohet Shteteve të Bashkuara, duke kërcënuar të sjellë ngrica deri në zonat jugore si Alabama.

Të premten banorët në pjesën veri-lindore të Amerikes u zgjuan nën një shtresë bore që shkaktoi kaos të trafikut e detyroi mbylljen e shkollave dhe shumë bizneseve. Të paktën 11 vdekje i faturohen stuhisë që përfshiu rajonet veriore të brigjeve të Atlantikut. Edhe pse reshjet e dëborës u ndalën, temperaturat vazhdojnë të jenë tepër të ulëta, çka shtyu shërbimin e motit te këshillojë njerëzit që ndodhen në mjedise të hapura të ruhen nga ngrirja.

Stuhia ka shkaktuar anulimin e mijëra fluturimeve e detyroi guvernatorët e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme. Në Kanada nga ana tjetër, pjesë të Neëfoundland dhe Labrador pritet të mbulohen nga të paktën 40 cm dëborë. Mëngjesin e një dite më parë, termometri në Toronto shënoi – 24 grade celsius, temperatura më e ulët që qyteti ka regjistruar prej gati 10 vjetësh.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta