Ka përfunduar ceremonia e betimit të kryetarit të Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku. Ai mbërriti në Kuvendin Komunal rreth orës 10, i shoqëruar nga autoritetet policore.

Ceremonia e betimit u zhvillua pa praninë e mediave. Sipas zyrtarëve, ajo zgjati dhjetë minuta dhe përfshiu vetëm leximin e deklaratës para këshilltarëve komunalë, siç parashihet me ligjin për vetëqeverisje lokale.

Kjo është hera e tretë që Sami Lushtaku bën betimin si kryetar i zgjedhur me votat e qytetarëve. Por dallimi është se këtë herë në sallën inaugurese, përveç këshilltarëve komunalë morën pjesë edhe pjesëtarë të shërbimit korrektues dhe policë, pasi Lushtaku vuan masën e paraburgimit si i akuzuar për krime lufte.

Qindra qytetarë u mblodhën pranë objektit të komunës në shenjë përkrahjeje për Lushtakun. Në shenjë proteste në sallë nuk qëndroi asambleistja e lëvizjes Vetëvendosje, Ajnishahe Halimi.

Ndërsa Lushtaku u kthye në paraburgim, në pikëpyetje mbetet funksionimi i komunës pa prezencën e tij. Nënkryetari Fadil Nura tha se Lushtaku do të emerojë nënkryetarin e ri dhe ekzekutivin e komunës.

Ai tha se mungesa e kryetarit do të paraqesë vështirësi. Nura pret përshpejtimin e procesit gjyqësor në mënyrë që lushtaku t’i kryejë detyrat e veta.

Sami Lushtaku dhe 14 ish-luftëtarë akuzohen për krime lufte. Ai aktualisht vuan masën e paraburgimit, ndërsa gjykata i mundësoi betimin për kryetar pasi mori shumicën e votave në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Top Channel