Policia në Kinë ka konfiskuar 3 tonelata drogë të tipit metamfetaminë dhe ka arrestuar 182 persona gjatë një seri operacionesh në një fshat të vendit.
Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Droga, e njohur ndryshe si “akull”, është sekuestruar në fshatin Boshe të qytetit Lufeng, në jug-lindje të vendit.
Policia kineze ka deklaruar për mediat shtetërore se mbi një e treta e drogës së tipit metamfetaminë në Kinë ka ardhur nga qyteti Lufeng në tre vitet e fundit.
Operacionet blic nisën më 29 dhjetor dhe u mbyllën në ditët e fundit. Në to u përfshinë rreth 3 mijë efektivë policie, dy helikopterë dhe varka me shpejtësi të lartë, thuhet në një deklaratë të policisë.
“Fshati ishte kthyer në një fabrikë kriminale për prodhimin e drogës, që drejtohej nga një klan që gëzonte mbrojtjen e politikanëve lokalë”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Boshe ka një popullësi prej rreth 14 mijë banorë dhe një numër i konsiderueshëm familjesh që jetojnë atje po hetohen nga autoritetet për përfshirje në prodhimin e drogës.
Përveç sasisë së “akullit” janë sekuestruar edhe 260 kg lëndë narkotike e tipit ketaminë në formë pluhuri, si dhe materiale të tjera që përdoreshin për prodhimin e drogës. Gjithësesi, autoritetet nuk kanë publikuar vlerën e drogave të sekuestruara.
Top Channel