Shpëtohen pasagjerët e akullthyeses

02/01/2014 20:35

Pas shumë vështirësive, evakuimi i 52 pasagjerëve të anijes ruse “Akademik Shokalskiy” konsiderohet mision i përmbushur. Që të gjithë janë dërguar në bordin e “Aurora Australis”, me helikopterin e një akullthyeseje kineze, e cila ishte në zonë prej ditësh, për të ndihmuar në operacionin e zgjatur të shpëtimit.

“Shokalskiy” u bllokua që në vigjiljen e Krishtlindjes. 22 anëtarët e ekuipazhit të saj priten të qëndrojnë në bord, edhe pas largimit të shkencëtarëve dhe turistëve.

Anija ngeci mes akujve, e shtyrë nga erërat e forta rreth 1,500 milje detare në jug të Hobartit, kryeqytet i shtetit australian të Tasmanisë.

Ajo po përdoret nga një ekspeditë australiano-aziatike, që synon të ripërshkojë rrugën e ndjekur nga eksploruesi Douglas Maëson, një shekull më parë.

Operacioni i shpëtimit u mbyll brenda disa orëve, duke përmbushur kështu të gjitha pritshmëritë.

Disa përpjekje ishin bërë për shpëtimin e njerëzve të bllokuar, por kur anija australiane “Aurora Australis” nuk arriti të çante akullin 3 metra të trashë, u vendos të përdorej helikopteri në akullthyesen kineze.

Pavarësisht situatës së tyre, shkencëtarët i vazhduan eksperimentet, duke matur temperaturën dhe kripësinë e ujit nëpërmjet të çarave në akujt rrethues.

Një prej qëllimeve të ekspeditës është të zbulojë se sa shpejt po shkrin shtresa e akullit në Antarktidë. Anija ka rezerva të shumta ushqimore dhe njerëzve në bordin e saj nuk i është kanosur për asnjë çast ndonjë rrezik.

Top Channel