Irak, masakër mes sekteve fetare

02/01/2014 20:20

Luftime të ashpra po zhvillohen në provincën irakiane të Anbarit, mes forcave vendase të sigurisë dhe militantëve xhihadistë, që raportohen të kenë marrë nën kontroll disa pjesë të dy qyteteve të rëndësishme: Falluxhas dhe Ramadit.

Në të gjithë provincën në fjalë ka pasur shtim të aktivitetit të rebelëve sunitë, këto kohët e fundit. Luftëtarët ndjekës të kësaj dege të Islamit, siç pohojnë burime të policisë, kanë mësyrë të paktën 10 komisariate e kanë liruar një numër të madh të burgosurish.

Trazira raportohen edhe në Baladruz, 73 km në veri të Bagdadit, ku shpërthimi i një autobombe vrau të paktën 12 vetë. Arabët sunitë në Irak pretendojnë se janë shënjestruar e janë margjinalizuar politikisht nga qeveria me shumicë shiite e kryeministrit Nuri al Maliki.

Aktiviteti i militantëve është shtuar edhe në anën tjetër të kufirit, që Iraku ndan me Sirinë, e përgjithsisht në pothuajse të gjithë zonat me popullsi dominuese sunite, në të dy vendet.

Hendeku, mes dy degëzimeve të fesë Islame në Irak, po thellohet çdo ditë e më shumë. Akuzave sunite për diskriminim, ekzekutivi shiit i përgjigjet me shqetësimin që i shkakton prania e al Kaedës në zona sunite si Anbari, ku thotë se rrjeti terrorist është ulur këmbëkryq.

Kryeministri Maliki, megjithatë, ka mundur të sigurojë për momentin mbështetjen e liderëve më të rëndësishëm fisnorë sunitë në vend, në sytë e të cilëve qeveria është e keqja më e vogël.

Fiset e tyre bashkuan forcat me Shtetet e Bashkuara në 2006-n dhe 2007-n për të luftuar al Kaedën, por sunitët, në përgjithësi, ndihen të lënë mënjanë në klimën e re politike të krijuar në vend, pas tërheqjes së Amerikës në 2011-n.

Top Channel