Në ditën e parë të vitit 2014, në Kosovë janë raportuar 13 raste me te
lenduar nga perdorimi jo i duhur i mjeteve piroteknike dhe të gjithë
janë jashtë rrezikut për jetën.

Kjo u bë e ditur për Top Channel nga Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës. Rasti më i rëndë është i Shpresa Kastratit nga Peja, e cila është goditur nga një plumb qorr në kokë.

Sipas mjekut përgjegjës në QKUK rastet janë të ngjashme me vitet e kaluara.

“Pas mesnatës, menjëherë pasi fillon euforia e festimit me armë zjarri dhe mjete piroteknike, që në minutat e para pas mesnatës, filluan të vinin njerëz me lëndime, më të vërtetë shumë serioze, ku disa të themi, të rinj të moshës kryesisht të re, ishin me lëndime nga plumbat qorr nga armë zjarri. Njeri prej tyre e ka plumbin në kokë, tjetri në kraharor dhe duhet t’i nënshtrohen operacioneve. Disa të tjera kanë lëndime, djegie të fytyrës dhe syve dy pacientë deri tani kanë lëndime serioze të shikimit ”, thotë mjeku Ejup Gorovci.

Nga ana tjeter, një minutë pas ndërrimit të viteve lindi fëmija i parë djalë, nga nëna Donjeta Haxhiu, nga Ferizaj.
Lindja e fëmijës është kryer në mënyrë normale. Nënën dhe fëmijën e posalindur i vizitoi ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani

“Gjithë ekipi mjekësor në klinikën gjinekologjike së bashku me gjithë ne që erdhëm per te marre pjesë në këtë moment të gëzimit e filluam vitin 2014 me një gëzim të madh, me një lindje normale, me një djalë të shëndoshë. Uroj që gjithë viti 2014 të shkoj në këtë mënyrë ashtu siç filloj me një punë cilësore, me një përkushtim ngrohtësi ndaj pacientes, ndaj foshnjës. Dhe uroj gjithë stafin e klinikës gjinekologjike obstetrike”, tha ministri Agani.

Vizitë fëmijës së i parë i bëri edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ndërsa, Drejtoresha e Gjinekologjisë, Myrvete Paçarada, ka shtuar se gjatë vitit 2013 janë kryer 10  350 lindje, ku në asnjë rast nuk ka pasur vdekje të nënave.

Në gjithë Kosovën u festua nata e ndërrimit të viteve. Ndërkohë, me muzikë e fishekëzjarre në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë u mblodhën qindra qytetar për të pritur ndërrimin e viteve, megjithatë Komuna e Prishtinës nuk ka organizuar asgjë .

Top Channel