Kanë kaluar mbi 14 vjet nga kur Ukshin Hoti u rrëmbye nga forcat serbe.
Me shpresë që ai ende është gjallë motra e tij në natën e ndërrimit të
viteve mblodhi forcën dhe doli në protesë për të kërkuar përgjegjësi për
të vëllanë.

“Jam lodhur, nuk kam lënë derë pa trokitur. Më kanë thënë fjalë të mira, por nuk kanë bërë asnjë përpjekje të vërtetë”, thotë Myrvete Hoti Kasumi, motra e veprimtarit Ukshin Hoti.
 
Nga lufta e fundit Kosovës i mungojnë ende mbi 1 mijë e 700 qytetarë. “Duhet të ketë më shumë angazhim dhe të qetësohen shpirtrat e këtyre njerëzve që presin me ankth ndër vite”, thotë përfaqësuesi i familjarëve Avni Kasumi.

Familjarët e personave të pagjetur i vizitoi edhe kryetari i Kuvendit të Jakup Krasniqi. Ai pranoi se institucionet e kosovare nuk kanë bërë sa duhet për zgjidhjen e kësaj cështje. Sipas tij në dialogun e fundit qeveria do të duhej të kushtëzonte Serbinë që së pari të jepte përgjigje për personat e zhdukur e më pas të zhvillohej dialogu.

“Duhet të kishte më shumë përpjekje që Serbia të pranonte përgjegjësitë dhe të ndihmonte për të gjetur eshtrat sepse shteti serb ka bërë fshehjen e viktimave”, thotë Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjetur Prenk Gjetaj tha se vitin 2014 do të ketë më shumë punë nga të gjithë mekanizmat për gjetjen e më të dashurve të tyre.

Top Channel