
Në mesazhin e tij në prag të ndërrimit të viteve, Presidenti Nishani, së
bashku me familjen i uroi të gjithë shqiptarët, por në mënyrë të
veçante ai iu drejtua të rinjve, që sipas tij po bëhen aktivë për
zgjidhjen e shumë problemeve në vend.
“E ardhmja në Bashkimin Europian kërkon mendësi të re”, theksoi kreu i shtetit.
“Ju përshëndes në këtë mbrëmje të fundvitit kudo ku jeni, pranë familjes, me të afërmit, me miqtë, me të dashurit, afër ose larg, duke festuar ose jo, në ndonjë punë tuajën ose duke kryer detyrën shtetërore! Le të jetë kjo ditë e ndërrimit të viteve një ditë lumturimi për të gjithë.
Ende kemi punë të vështira për të bërë. Është një barrë e madhe dhe sërish shpresoj që të rinjtë do të mbajnë një peshë të madhe të saj, duke rritur besimin ndaj punës dhe mundësive të tyre.
Sepse mund të gjenden rrugët për të ulur borxhin publik, për rritjen e përgjegjshmërisë për të pasur një drejtësi të shpejtë dhe me efektivitet, për një luftë pa lëshime kundër korrupsionit, për pakësimin e papunësisë në zgjidhjen e problemeve të mprehta që na paraqiten si shtet dhe si shoqëri, probleme që nuk mund të zgjidhen pa pjesëmarrjen veçanërisht të të rinjve, larg zhurmave dhe llogaritjeve taktike.
Jam i bindur se ndër brezat e rinj është rrënjosur vlera e unitetit kombëtar dhe vlera e shtetit.
E ardhmja e vendit tonë në gjirin e Bashkimit të Europës kërkon një mendësi të re dhe këtë mendësi të rinjtë e lidhin me jetën e tyre.
Le të kujtojmë një fakt domethënës: zhvillimin e zgjedhjeve qershorin e kaluar, kur populli ynë tregoi se e sheh me besim të ardhmen e tij.
Të dashur bashkëqytetarë,
Po lemë pas një vit nga i cili duhet të nxjerrim mësimet e duhura për të përballur me ballin lart vitin që po vjen. Është një betejë, por që duhet fituar me çdo kusht. Le të jetë viti i ri një hap i mëtejshëm në rrugën e përparimit të vendit.
Unë dhe familja ime Ju urojmë mbarësi të gjithëve dhe Gëzuar Vitin e Ri!” tha Nishani në urimin e tij.
Kryebashkiaku uron qytetarët
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka uruar qytetarët e Tiranës, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë për festën e Vitit të Ri.
“Të dashur bashkëqytetarë,
Pak kohë na ndajnë nga ndërrimi i viteve, ky është një moment gjithmonë plot shpresë dhe besim për të nesërmen që na pret.
Të gjithë ne së bashku ia kemi dalë të fitojmë mbi sfidat dhe shumë probleme dhe të drejta të vemë në rrugën e zgjidhjes dhe të hapim kështu së bashku për një të ardhme më të mirë në Tiranë.
Në fund të vitit, gjithësecili prej nesh bën natyrshëm bilancin e tij, cfarë kemi bërë mirë, cfarë mund të bënim më mirë, cfarë mund të bënim më shumë. Këto dilema janë të zakonshme për cdo njeri. Për ne të zgjedhurit tuaj janë më shumë se kaq, janë përgjegjësi”, tha Basha.
Top Channel