Rama: 2014, viti i ripërtëritjes

30/12/2013 00:00

Në konferencën për shtyp, të fundit për këtë vit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se 2014 do të jetë viti i rimëkëmbjes.

Duke iu referuar statusit dhe paragjykimeve nga disa vende europiane apo rryma ekstremiste politike, ai kërkoi që të gjithë zërat politikë e mediatik të bëhen bashkë për të përbuzur çdo etiketim që u bëhet shqiptarëve, duke mos përjashtuar edhe përkatësinë fetare, për të cilën Rama tha se kemi ç’ti mësojmë të gjithëve.

Një pjesë e fjalës së Ramës:

“Viti 2013, njësoj si viti 1992, do të shënohet në historinë e re politike të Shqipërisë, si viti i votës popullore që siguroi kthesën e madhe demokratike të vendit tonë. Mes rrënimit të mëtejshëm dhe një rilindjeje shqiptare, 1 milionë shqiptarë u bënë bashkë për Rilindjen, duke zgjedhur në 23 qershor “Aleancën për Shqipërinë Europiane”. Vigjilja e Vitit të Ri 2014 e gjen Shqipërinë me energjinë e re që krijoi bashkimi i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Edhe pse 100 ditë janë fare pak për punët e mëdha për të cilat jemi zgjedhur, ato mjaftuan për të përcaktuar qartë kursin e ri të drejtimit të Shqipërisë nga e ardhmja. Buxheti i vitit 2014 dhe vendosja e taksimit të ndershëm, përbëjnë shprehjen më kuptimplotë të ndryshimit që përcaktoi për Shqipërinë vota e 23 qershorit.

Me votën e tyre, mësuesit, mjekët, policët, nëpunësit e shtetit dhe punonjësit në sektorin privat, si edhe të vetëpunësuarit me një biznes të vogël, gjithsej 97% e shqiptarëve që kontribuojnë në arkën e shtetit, vendosën të taksohen më pak.

Por po ashtu s’ka dyshim se ishte fare e qartë, që hapat e qeverisë sonë u vlerësuan me notat më pozitive nga Bashkimi Europian. Pjesë e këtij vlerësimi, ishte edhe përcaktimi si asnjë vit më parë, i qershorit e jo i dhjetorit të ardhshëm, si koha për vendimin e mundshëm përfundimtar.

Viti i ardhshëm do të jetë viti i vazhdimit me vendosmëri në rrugën e integrimit dhe ne do të bëjmë ashtu siç duhet gjithçka që Shqipërisë i takon të bëjë. Le të shpresojmë se rezultati i qershorit do të varet kryekëput nga puna jonë dhe nuk do të ndikohet dot, siç ndodhi fatkeqësisht këtë herë, nga influenca e disa forcave ekstremiste në Europë të cilat s’kanë asgjë të përbashkët me idealin e me vlerat e Bashkimit Europian.

Ne dhe opozita mund ta ndahemi sa të doni në leximin e mesazheve të Bashkimit Europian dhe në leximin e një JO-je dhe PO-je të BE. Por ju lutem shumë të mos ndahemi në një gjë, që kur na trajtojnë si një vend mysliman që nuk ka vend në BE, kushdoqofshin të marrin përgjigjen e duhur dhe njëzëri, se ne jemi të gjithë myslimanë dhe të gjithë të krishterë dhe jemi krenarë që jetojmë së bashku dhe askush nuk mund të tregojë me gisht sikur kemi ndonjë metë, pse këtu në Shqipëri kemi një popullsi mylsimane. Përkundrazi, mund të tregojmë shumë mirë veten me krenari që jemi një vend i tolerancës dhe i bashkëjetesës dhe jemi një model për t’u marrë shembull edhe nga të tjerët”.

Gjatë konferencës që zgjati për shumë se 80 minuta, Rama u përball me një mori pyetjesh që lidhej me integrimin e Shqipërisë në BE, e në veçanti për rolin e partive ekstremiste në disa vënde europiane, që u shfaqën si pengesë për statusin.

Mentor-Kikia – kryeredaktor TCH – A do të dalë Shqipëria nga Konferenca Islamike pasi të qënurit një shtet me popullisinë më të madhe të fesë Islame u përdor kundra Shqipërisë nga partitë e ekstremit të djathtë?

“Referuar atyre forcave ekstremiste, ato janë një problem i Bashkimit Evropian, janë një çështje shqetësuese për Bashkimin Evropian, janë burime të një politike që i bie ndesh idealit dhe vlerave të Bashkimit Evropian. Nuk na takon dhe nuk është në fuqitë tona që ta trajtojmë dhe zgjidhim çështjen e tyre, por ajo çka na takon është të bëjnë ne maksimumin tonë, që çështja jonë e integrimit të mos pengohet prej tyre”, u përgjigj Rama.

“Sigurisht dhe ju falënderoj, që ju e nënvizuat në pyetjen tuaj, ata nuk e fshehin, s’kemi pse e fshehim dhe ne, që përkatësia e një pjesë të popullsisë sonë ndaj fesë myslimane, prej tyre konsiderohet si problem. Ndërkohë që, përsa më takon, fakti që Shqipëria është një vend multireligjioz dhe i bashkëjetesës në harmoni mes feve është një vlerë e shtuar për ne. Jo vetëm që unë dhe besoj të gjithë bashkë duhet t’i neverisim këto forca dhe këto pikëpamje, por me krenari për këtë vlerë dhe për këtë harmoni, që ne e shprehim zakonisht kur kemi festat tona fetare, ne duhet t’i shohim në sy të gjithë dhe t’ju themi se ne nuk lejojmë askënd që të stigmatizojë Shqipërisë si të tillë apo si të atillë. Shqipëria është një vend evropian, i përket Evropës qysh në krye të herës dhe në programin tonë të Rilindjes, jo rastësisht, ne kemi folur për ribashkim me Evropën.

Rivendosja e rendit përfshi mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës, si edhe reforma në drejtësi tha Rama do të jenë dy prej prioriteve të rëndësishme të qeverisë në 2014-en, per te cilat kërkoi edhe bashkëpunimin e opozitës.

Muhamed Veliu – A do të ketë gjatë vitit 2014 ndryshime kushtetuese?

“Ne nuk kemi asnjë objektiv për ndryshime kushtetuese si qëllim në vetvete. Kemi të domosdoshme një reformë rrënjësore të drejtësisë, e cila mund të kërkojë ndryshime kushtetuese dhe ne jemi të gatshëm që t’i bëjmë ato ndryshime, në rast se projekti i reformës do t’i kërkojë”, u përgjigj kryeministri.

Interesit të gazetarëve për dosjen Imami tashmë në prokurori, kryeministri e komentoi thjesht si nisjen e një premtimi për transparencë duke i dërguar njëkohësisht një mesazh Prokurorisë së Përgjithëshme.

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjithashtu se viti 2014 fillon me një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës në Prizren, duke nisur kështu qeverisjen stategjikemes dy shteteve tona.

Kreu ekzekutivit njoftoi se është përgatitur një paketë ndihme për Luginën e Presheves.Vizita ne Beograd tha Rama do të zhvillohet gjashtëmujorin e parë të 2014, por ende nuk është caktuar data.

Top Channel