
Deputeti i PD, Arben Ristani ka akuzuar qeverinë se po shkatërron Policinë e Shtetit me shkarkimet e oficerëve të lartë dhe duke i zëvendësuar ata militantë partiakë.
Në një deklaratë për mediat paraditen e së hënës, Ristani ka theksuar se në 100 ditët e para të qeverisë së re janë manipuluar dhe çensuruar buletinet policore dhe informacionet mbi kriminalitetin.
“100 ditët e Ministrisë së Brendshme janë 100 ditët e kthimit të Policisë së Shtetit në polici partiake. Janë 100 ditët e shkarkimit të profesionistëve dhe zëvendësimit të tyre me militantët, numëruesit dhe komisionerët zgjedhorë të PS-së”, ka thënë Ristani.
Ai ka theksuar se në këto 100 ditë është verifikuar vetëm një shkelje masive e ligjit dhe një çoroditje e Policisë së Shtetit, që kanë sjellë sipas deputetit demokrat, një lulëzim të krimit, rritje të aksidenteve, të trafiqeve dhe rritje të pasigurisë së jetës. Ristani nuk i ka kursyer kritikat edhe në adresë të krerëve të rinj të policisë shqiptare.
“Nga drejtori i përgjithshëm i policisë, ose siç njihet ndryshe numëruesi i parë i votave të Partisë Socialiste, nga drejtuesit e policisë në qarqe që marrin poza në mes të arrës me hashash, e deri tek shefi më i thjeshtë, të gjithë erdhën në poste, u promovuan falë shërbimit të tyre politik, si komisionerë, donatorë apo edhe kandidatë për deputetë të Edi Ramës”, ka pohuar Ristani.
“Në këto 100 ditë është dyfishuar sasia e drogave të forta që shkon në vendet fqinje, Itali e Greqi, nga Shqipëria. Në këto 100 ditë, numri i krimeve kundër jetës, i grabitjeve, vjedhjeve dhe vjedhjeve me dhunë është dyfishuar dhe bashkë me këtë ka rënë forca zbuluese e policisë dhe është rritur pasiguria për jetën për qytetarët e vendit”, ka vijuar Ristani me akuzat e tij.
Top Channel