Zyrtarët e Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë shprehen të shqetësuar, që ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga qeveria e Tiranës, lidhur me paketën e re fiskale, e cila prek drejtpërdrejtë mallrat kosovare, që synojnë tregun shqiptar.

Në konferencën e fundvitit, ushtruesi i detyrës së Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, tha se ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga qeveria shqiptare, lidhur me pakon e re fiskale, por theksoi se u është premtuar, që kërkesat e Kosovës do të merren parasysh.

“Jo, ende jo, meqenëse i gjithë procesi është ende në vazhdim. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme edhe me ambientin tonë të biznesit, por edhe me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që t’i adresojmë të gjitha problemet eventuale, që mund të ndodhin si pasojë e politikave, që do të ndiqen nga qeveria e Shqipërisë. Jemi në pritje dhe në ndjekje të zhvillimeve, të shohim se si do të adresohen këto në ditët dhe javët në vijim. Disa nga masat, që janë planifikuar në pakon fiskale të qeverisë së Shqipërisë, do të kenë ndikim në bizneset kosovare dhe ne, menjëherë pas marrjes së këtyre informatave, kemi vendosur kontaktet me ministritë respektive në qeverinë e Shqipërisë dhe kemi premtime se këto çështje do të adresohen, sa i përket bizneseve kosovare. Unë dëshiroj të theksoj një gatishmëri të shtuar të qeverisë së re shqiptare, që të punojmë së bashku drejt krijimit të një tregu unik ekonomik mes dy vendeve”, tha Bernard Nikaj, ushtrues i detyrës së ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.

Në konfencën e fundvitit, Nikaj shpalosi projektet vjetore të kësaj ministrie dhe njoftoi se, në shtator të vitit të ardhshëm, do të përzgjidhet konsorciumi për të filluar punimet në Brezovicë, por – siç tha ai – tani pritet të aprovohet plani hapësinor i saj nga Kuvendi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA