Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është i gatshëm që mjetet që i takojnë atij si ish-i burgosur politik t’i dhuroj për financimin e studimeve të fëmijëve talent të familjeve të varfëra.

Nëpërmjet rrjetit shoqëror “Facebook”, Krasniqi i ka propozuar Shoqatës së të Burgosurve Politik, që të bisedojnë për krijimin e një “Fondi të Shoqatës se të Burgosurve Politikë”, duke dhuruar përqindje në atë fond, për talentët e varfër.

“Nëse SHBP do të thërrasë Kuvendin e saj dhe bisedojnë për krijimin e një Fondi të Shoqatës se të Burgosurve Politikë, për të financuar studimin e fëmijëve talent të familje të varfëra, duke dhuruar një përqindje për atë fond (nga ish-të burgosurit që kanë një gjendje mesatare ose të lartë të jetesës), unë do t’i dhuroja për atë fond të gjitha mjetet që me takojnë për dhjetë vitet e tre muajt e vuajtjes se dënimit tim në burgjet jugosllave”, deklaroi Krasniqi.

“Unë po kërkoj nga shoqata në fjalë, që ta marrë seriozisht këtë propozim timin të sinqertë. Kërkesën po e bej pse besoj fuqishëm në gatishmërinë e këtyre njerëzve që ne një kohë (në kohën më të mirë të jetës së tyre), kanë sakrifikuar shumë për popullin dhe atdheun tonë!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Ditë më parë, qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për kompensim financiar për ish-të burgosurit politikë, ku një ditë apo natë e kaluar në burg do të paguhet 16 euro e 70 cent, ndërsa shuma që do të jetë është 55 milionë dhe do t’u paguhet për 5 vjet mbi 2000 ish-të burgosurve politikë.

Top Channel