
Ndryshimi i gomave në mes të sezonit e ndihmoi shumë skuderinë Red Bull në fitimin e titullit kampion për pilotë dhe konstruktorë në vitin 2013.
Që nga momenti i vendosjes së gomave të reja, Sebastian Vettel fitoi pothuajse çdo garë të mbetur të sezonit dhe inxhinieri Adrian Newey pranon se kthimi tek gomat Pirelli të vitit 2012 ishte një nga arsyet e suksesit.
“Pa dyshim që ndryshimi i tipit të gomave na ndihmoi më shumë në krahasim me skuadra të tjera. Avantazhi ynë më i madh është në kthesat që merren me shpejtësi të lartë dhe në frenimet e forta, pikërisht aty ku gomat i nënshtrohen një presioni maksimal. Për këtë arsye, gomat e brishta nuk na jepnin aspak avantazh”, shpjegon ideatori i Red Bullit për autosport.com.
Por, Newey nuk është dakord me faktin që rikthimi tek gomat e vjetra pengoi skuderi të tjera (Ferrari për shembull) të luftonin për tituj: “Kam lexuar që skuderi të caktuara kishin dizenjuar makinën e tyre duke marrë për bazë gomat e vitit 2013, por të gjithë e dimë që ky është një budallallëk. Askush prej nesh nuk e dinte rendimentin e këtyre gomave para se të niste sezoni e për këtë arsye nuk mund t’i merrnim për referencë ato. Disa skuderi kishin fat, disa të tjera jo. Ne ishim të pafatët.”
Top Channel