Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, në një intervistë për Radio Kosovën, ka thënë se Kosova ende nuk i ka ndërtuar kapacitetet e plota që të jetë krejtësisht pa mbështetjen e EULEX-it në fushën e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit.

Sipas tij, ndonëse Kosova ndodhet në pozita të sigurta në rrugën e saj për në BE, duhet të intensifikojë përpjekjet në respektimin e ligjit.

“Nuk mendoj se është arritur deri aty ku të gjitha rastet të mund të zgjidhen nga vetë gjyqtarët kosovarë. Nuk është vetëm përshtatja e legjislacionit, por edhe disponimi dhe mbështetja që duhet t’u jepet gjyqtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që ata të ecin përpara”, ka deklaruar Zhbogar.

Ai ka vlerësuar se, gjëra të rëndësishme janë bërë në luftën kundër korrupsionit, si hartimi i strategjisë, miratimi i ligjeve, sidomos ai për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, por ka ende punë për t’u bërë.

“Dëshirojmë që përmes zyrës tonë të ndërtojmë atmosferën e zero tolerancës. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë sot për nesër, ky është një proces dhe Kosova është duke shënuar progres, edhe pse me ngadalë”, ka vijuar diplomati.

Top Channel