Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi e quajti të ngutshëm ratifikimin e marrëveshjes së 19 prillit nga Kuvendi i Kosovës.

Ai tha se Kuvendi nuk ka pasur informata të mjaftueshme për këtë marrëveshje dhe se ka pasur ngutje. Këto komente ai i bëri në konferencën e fundvitit ku prezantoi punën e institucionit që drejton për vitin 2013.

“Zakonisht në këto takime flitet për çështje që janë pozitive, por realisht konsideroj që Kuvendi nuk ka pasur informacione të mjaftueshme dhe ka marrë vendime të ngutshme. E kam fjalën për marrëveshjen e 19 prillit, për të cilën nuk e di se sa Kuvendi ka qenë i informuar. Kështu që këtu ka pasur ngutje. Por ndoshta ngutjet mund të arsyetohen në të ardhmen, pasi aktualisht nuk është e lehtë për t’i arsyetuar”, deklaroi Krasniqi.

Ndërsa për procesin e privatizimit të PTK-së, Krasniqi tha se i gjithë ky proces nuk duhej t’i rikthehej Kuvendit në rast së ka qenë i zhvilluar mbi bazën e një ligji.

“Nëse i gjithë procesi i privatizimit është zhvilluar mbi bazën e ligjit, atëherë ky proces nuk duhet t’i rikthehet Kuvendit. Por nëse procesi nuk është kryer mbi bazën e ligjit, atëherë sjellja në Kuvend nuk mund ta legjitimojë atë proces”, nënvizoi Krasniqi.

Gjatë vitit 2013 Kuvendi ka miratuar 61 ligje dhe 15 projektligje janë në proçedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare, ndërkohë që 11 projektligje i janë kthyer qeverisë për ripunim. Gjithashtu janë ratifikuar me ligj 6 marrëveshje ndërkombëtare, janë nxjerrë tre rezoluta dhe 12 dokumente të tjera.

Krasniq foli gjithashtu edhe për mbledhjet dhe dëgjimet publike, duke thënë se komisionet parlamentare kanë mbajtur 405 mbledhje, 58 dëgjime publike, kanë hartuar dy projektligje, kanë propozuar 1129 amendamente dhe kanë shqyrtuar 20 peticione.

Top Channel