Integrimi i Kosovës në OKB, BE dhe NATO dhe liberalizimi i vizave do të jenë prioritet i diplomacisë kosovare. Ky ishte vlerësimi që  krerët më të lartë të Kosovës dhanë në në konferencën e dytë të ambasadorëve që u zhvillua në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se se pesë vjet më parë kur Republika e Kosovës hapi ambasadat e para, kishte përpara shumë sfida dhe se kjo konferencë është e një rëndësie të vecantë.

“Kjo konferencë, të nderuar ambasadorë është e domosdoshme sepse prioritetet dhe resurset globale kanë ndryshuar dhe krahas kësaj, me orientimin tonë euroatlantik gjithmonë si pikë referimi, duhet të ndryshojë edhe aftësia jonë për t’u adaptuar, për të vazhduar të jemi relevantë dhe bashkëpunëtorë të partnerëve tanë strategjikë dhe për të krijuar aleanca dhe mundësi të reja, sidomos në rrafshin ekonomik, aty ku ato më parë nuk kanë ekzistuar”, tha Presidentja Jahjaga.

Më i ashpër ka qenë në fjalën e tij kryeministri i Kosovës Hashim Thaci. Ai  vlersoi se BE me një politikë jo të drejtë ndaj qytetarëve të Kosovës, ka izoluar të drejtën e tyre në lëvizjen e lirë.

“Kështu që me shtetet që ende nuk e njohin Kosovën, ne do të këmbëngulim edhe njohjen e shtetit tonë që të përpiqemi të kërkojmë paraprakisht ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike, njohjen e pasaportave të Kosovës, heqjen e vizave dhe krijimin në mënyrë të ndërsjellë të zyrave ndërlidhëse me këto vende për çka edhe kemi oferta. Të gjithë e dinë mirë që një ndër problemet më të mëdha dhe sfida kryesore me të cilën përballet politika jonë e jashtme, është izolimi i shtetasve të Kosovës nga regjimi i vizave. Ne sot jemi në rrugën e duhur të liberalizimit të vizave në zonën Shengen të Bashkimit Europian. Ky është një izolim plotësisht i padrejtë dhe ne kemi implementuar kriteret e nevojshme të kërkuara nga Brukseli, por ne nuk do të mjaftohemi me kaq dhe sot ne vendosim si prioritet heqjen e vizave nga më shumë vende të botës që e kanë njohur Republikën e Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Në konferencë foli edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Ai tha se  ambasadorët kanë bërë një punë të madhe në përfaqësimin dhe fuqizimin e imazhit të Kosovës në botë. Sipas Hoxhajt, qëllimet e qeverisë janë reflektimi mbi të arriturat e politikës së jashtme, shkëmbimi, kultivimi dhe përmirësimi i cilësisë së mendimit strategjik për politikën e jashtme dhe fillimi i një procesi të ri i cili do të përcillet me hartimin, për herë të parë, të një platforme afatgjate të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

Të pranishëm në konferencë ishin të gjithë Ambasadorët e Kosovës të cilët shërbejnë në vende të ndryshme të botës.

Top Channel