Ndihmë për familjet e policëve të vrarë

27/12/2013 00:00

Kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi të shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit morën pjesë në një aktivitet të organizuar në qytetin e Durrësit me fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se qeveria do të vazhdojë të mbështesë familjet e dëshmorëve të policisë, ndërsa premtoi se mbështetja financiare dhe morale do të rritet për të gjithë efektivët e policisë së shtetit.

“Ne do bëjmë të pamundurën për ju, edhe më të pamundurën që cdo anëtar i familjes së policisë të ndjehet i qetë, i mbështetur dhe me gjithë respektin që meriton denjiteti i tij si pjesë e një institucioni që është i domosdoshëm dhe jetik për të gjithë qytetarët, shoqërinë, për gjithcka ne konsiderojmë vlerë të bashkëjetesës sonë, sigurinë dhe qetësinë e gjithësecilit. Besoj që ne arritëm që jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra të japim këtë mesazh të qartë dhe të fortë të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe këtë mesazh do ta përcojmë vazhdimisht, duke siguruar një trajtim të denjë financiar për secilin, por edhe mbështetjen e domosdoshme morale për të cilën policia ka nevojë më shumë se cdo gjë tjetër në fund të fundit”, tha Rama.

Kryeministri njoftoi gjithashtu një vendim të qeverisë ky forcave speciale të Policisë së Shtetit u garantohej një trajtim i posacëm shëndetësor në rast nevoje dhe shpenzimet i kalonin shtetit.

Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se nga qeveria do të vazhdojë mbështetja për familjen e madhe të policisë shqiptare, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi vlerësoi se është detyrim i drejtuesve të policisë që të gjenden pranë familjeve të efektivëve të rënë në krye të detyrës.

Ata që janë angazhuar në forcat speciale dhe operacionale, sot firmosëm një vendim qeverie, duke i hapur rrugë trajtimit special për cilindo prej tyre që do të ketë nevojë për kujdes shëndetësor dhe duke garantuar që për cdo vizitë shteti do të pagujë një sigurim të posacëm shëndetësor për të garantuar kujdesin më të madh për ta. 

Top Channel