Dështimi i privatizimit të Post-Telekomit të Kosovës bëri që kryeministri kosovar të mos thoshte asnjë fjalë lidhur me këtë çështje. Një ditë pas dështimit të privatzimit të PTK-së, kabineti qeveritar mori vendim për emërimet e reja të gjashtë anëtarëve të Bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri Thaçi falënderoi deputetët e Kuvendit për debatin, sipas tij, konstruktiv për votimin e buxhetit 2014.

“Buxheti i vitit 2014 do të jetë buxheti i zhvillimit ekonomik, i reformave demokratike, i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve, i mundësisë për krijimin e vendeve të reja të punës, i fillimit dhe përfundimit të shumë projekteve infrastrukturore dhe i mundësive të tjera për shtetin tonë dhe qytetarët tanë”, deklaroi Thaçi.

Në mesin e 30 pikave të rendit të ditës kabineti mori vendimi për kompensimin e ish-të burgosurve politikë. Pritet që të kompensohen rreth 2 mijë ish-të burgosur, me shumën e përgjithshme të ndarë nga qeveria që shkon në 55 milionë euro.

“Kompensimi do të jetë 16 euro e 70 cent për një ditë. Shuma do të jetë 55 milionë. Do të paguhet për 5 vite, numri prej mbi 2.000 ish-të burgosurve politikë. Detyrohet Komisioni dhe Ministria e Financave që të realizojnë këtë vendim. Pas këtij vendimi që do të marrim ne sot, na mbetet për të punuar edhe më tepër për rregullimin përfundimtar për çështjen e veteranëve të luftës, por edhe të të burgosurve padrejtësisht, të luftëtarëve të UÇK-së, rregullimit të statusit të tyre e familjeve të tyre”, theksoi Thaçi.

Ndër të tjera në mbledhjen e qeverisë u miratua plani i veprimit për negocimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asoccim për vitin 2014. Ky plan veprimi ka për qëllim përcaktimin e aktiviteteve të institucioneve shtetërore drejt adresimit të konstatimeve të Raportit të Progresit 2013, si dhe negocimit dhe përmbushjes së obligimeve në kuadër të MSA-së.

U aprovua gjithashtu plani vjetor i punës së qeverisë për vitin 2014, krijimi i ambjentit të favorshëm për investime të brendshme dhe të huaja, përmirësimi i infrastrukturës publike, etj.

Ndërkohë u aprovua edhe projektligji për sigurimin shëndetësor, me anë të të cilit rregullohet themelimi, organizimi, funksionimi dhe financimi i sistemit publik të sigurimeve shëndetësore, si dhe të drejtat dhe obligimet e palëve të përfshira.

Top Channel