Viti 2013 ishte një ndër vitet më të mira në historinë e turizmit në Greqi.
Sipas Ministrisë së Turizmit, më tepër se 17 milionë turistë kanë vizituar Greqinë gjatë këtij viti, duke shënuar kështu rritjen më të madhe historike, ose 15,50%.
Rritje prej 14,8% është shënuar edhe në të ardhurat nga sektori më strategjik i vendit, duke kapur shifrën prej 4,3 miliardë euro. Athina shprehet e kënaqur me ecurinë e sektorit.
Burime pranë Ministrisë greke të Turizmit thanë për Top Channel se edhe gjatë vitit 2014 pritet që sektori i turizmit të shënojë sërish rritje.
Sipas ministres Olga Qefalojani, Ministria që ajo drejton është tepër aktive në promovimin e paketave turistike, kurse liberalizimi i procesit të Kapotazhit në portet kryesore të vendit rriti gati dyfish numrin e anijeve krociere, që kanë në guidat e tyre të paktën një port grek.
Kriza ekonomike, që ka pllakosur Greqinë, përveç rrënimit ekonomik të vendit, duket se ka detyruar operatorët vendas të ulin çmimet, por edhe të rrisin cilësisë për një sërë shërbimesh, si ai i turizmit.
Kështu, Greqia është kthyer në destinacion atraktiv për miliona qytetarë europianë, ku vendin kryesor vazhdojnë ta mbajnë turistët nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia. Kurse nga vendet jo anëtare të BE-së, vendin kryesor e zënë turistët nga Rusia; të ardhurat nga të cilët përmbysën për herë të parë të ardhurat nga turistët amerikanë; ndërsa në vazhdim Kina dhe vendet ballkanike.
Për tërheqjen e sa më shumë turistëve nga Rusia dhe Kina, qeveria greke ka lehtësuar ndjeshëm barrierat e procedurave për vizat turistike. Vlen të përmendet se edhe shtetasit shqiptarë, që kalojnë pushimet e tyre në Greqi, janë më të shumtë në numër se sa një vit më parë. Madje, për tërheqjen e sa më shumë turistëve nga vendet ballkanike dhe Rusisë, qeveria greke ka gati një plan të posaçëm promovimi.
Top Channel