Turqi, Erdogan riformaton qeverinë

26/12/2013 00:00

Kryeministri turk Recep Tayip Erdogan ka njoftuar një riformatim masiv të qeverisë së tij pasi tre ministra dhanë dorëheqjen për shkak të hetimeve për korrupsion.

Zoti Erdogan emëroi ditën e mërkurë 10 ministra të rinj, pothuajse gjysma e kabinetit të tij, pas bisedimeve të zhvilluara me presidentin e vendit, Abdullah Gyl.

Një nga ministrat e dorëhequr, ai i Mjedisit Erdogan Bayraktar i bëri thirrje edhe vetë kryeministrit Erdogan që të dorëhiqej. Policia po heton dyshimet për transferim ilegal parash në Iran dhe rryshfete për projekte të ndërtimit.

Zoti Bayraktar, ministri i Ekonomisë Zafer Caglayan dhe ai i Brendshëm, Muammer Guler braktisën postet e tyre pasi djemtë e tyre u arrestuan. Të tre ata mohojnë çdo shkelje.

Në Stamboll, persona të shumtë mbajtën një manifestim kundër korrupsionit në qeveri. Pati raportime për përleshje mes tyre dhe policisë vonë gjatë së mërkurës.

Kryeministri Erdogan ia dorëzoi emrat e rinj të kabinetit presidentit Gyl në orët e vona të ditës së djeshme.

Mes atyre që humbën vendin e punës është edhe ministri për Çështjet Evropiane, Egemen Bagis. Ai akuzohet gjithashtu për përfshirje në skandal korrupsioni, por deri tani nuk është akuzuar zyrtarisht.

Kryeministri turk e ka cilësuar hetimin e policisë si “një lojë të pistë” dhe ka thënë se është një komplot nga fuqi të huaja dhe turke për të diskretituar qeverinë e tij në prag të zgjedhjeve lokale në muajin mars.

Top Channel