PD: Qeveria ka frikë nga hetimi

26/12/2013 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku, ka akuzuar mazhorancën qeverisëse se “ka frikë të hetohet dhe të japë llogari për zbardhjen e manipulimit që ka ndodhur me të dhënat konfidenciale të qytetarëve shqiptarë, në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”

“Mazhoranca Rama-Meta edhe pse ka vetëm 100 ditë që ka marrë pushtetin, ka frikë të hetohet dhe të japë llogari, dhe këtë e tregoi duke rrëzuar me forcën e kartonëve kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor për zbardhjen e manipulimit që ka ndodhur me të dhënat konfidenciale të qytetarëve shqiptarë, në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, deklaroi Tabaku.

PD-ja e ka përcaktuar si antikushtetues rrëzimin e kërkesës nga ana e mazhorancës: “Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor u bë nga 1/4 e deputeteve dhe në këto kushte, Kushtetuta përcakton se ngritja e tij është e detyrueshme. Rrëzimi i kërkesës është veprim antikushtetues.”

Tabaku vazhdoi më tej me akuzat: “Mësohet se skandali ëshë thelluar, pasi janë zhdukur pamjet filmike që vërtetojnë ndërhyrjen e disa personave në serverin qendror të Drejtorisë së Tatimeve. Rrëzimi me votë i kërkesës sonë shton edhe më shumë dyshimet se ndërhyrjet e paligjshme në serverin e tatimeve janë bërë për interesa klienteliste e për favore politiko-ekonomike.”

Top Channel