Dështojnë përpjekjet e shumicës në Kuvendin e Kosovës për t’i dhënë fund privatizimit të 75 % Postës dhe Telekomit të Kosovës. Në seancën e së enjtes, qeveria u detyrua të heqë amandamentin 8 nga projektligji për buxhetin i cili parashihte  shitjen e PTK-së.

Vetëm pas këtij veprimi Kuvendi mundi të votojë dhe ta miratoje buxhetin e vitit 2014. Si plan B grupi parlamentar i PDK-së kishte projektuar futjen në rend dite miratimin e raportit qeveritar për privatizimin e PTK-së. Por opozita si rrallë ndonjëherë u bashkua dhe braktisi sallën duke lënë të pranishëm vetëm 54 deputetë.

Nuk është vetëm opozita e cila e vlerëson të kundërligjshëm,  procesin e privatizimit të PTK-së. I kthyer pas përfudnimit të procesit gjyqësor për krime lufte në kuvend, Fatmir Limaj zgjodhi pikërisht temën e postës për t’i shprehur pakënaqësitë me ekzekutivin kosovar. Ai fajësoi qeverinë e Kosovës për përpjekjet sic tha që ta privatizojë kundërligjshëm PTK-në dhe kërkoi dorëheqjen e ministrit përkatës.

“Vërejtjet e mia janë për drejtuesit dhe në këtë rast për ministrin përkatës. Një ministër i cili nuk është në gjendje të shkojë sipas ligjit dhe të mbajë përgjegjësi për vendimet e veta, është mirë që të mbajë përgjegjësi morale dhe të japë dorëheqjen. Pse e keni sjellë në parlament në këtë gjendje? Kur ju nuk jeni të gatshëm për të marrë vendime, të mbani përgjegjësi për procesin, është mirë që të dilni para deputetëve dhe para qytetarëve duke thënë se unë nuk jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi, jam i gatshëm të mbaj privilegjet. Ku keni dëgjuar ju që pas gjithë procedurave që ka kaluar procesi i privatizimit, të vini në parlament dhe të thoni miratoni ato që kam bërë unë? Kjo është në kundërshtim me ligjin”, tha deputeti Limaj.

Se a po dështon tërësisht privatizimi i PTK-së, ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli tha se do të mbahet një takim i komitetit qeveritar pas të cilit do të ketë një vendim. Ismajli nuk mundi të thotë nëse qeveria do të nënshkruajë kontratën pa vendim kuvendi pasi afati i fundit është 30 dhjetori dhe nuk është caktuar të mbahet seancë për këtë.

“Do të keni lajmin e plotë për hapat që do të ndërmerren. Sidoqoftë, nëse ndodh përfundimisht dështimi i privatizimit do të ishte një rast i humbur, shumë serioz për Kosovën me pasoja në shumë segmente, me pasoja direkte dhe indirekte financiare, të prestigjit të Kosovës përballë shteteve mike”, tha Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.

Qeveria e Kosovës është e bindur se nëse dështon privatizimi i PTK-së këtë herë, në një proces të dytë do t’i ulet vlera edhe më shumë. Vlera për të cilën është shitur PTK-ja në prill të këtij viti është 277 milionë euro.

Top Channel