Kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të enjten u betua solemnisht në një ceremoni në kuvendin komunal.
“Unë, Shpend Ahmeti, betohem se do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i komunës së Prishtinës, me nder besnikëri, në mënyrë të paanshme me ndërgjegjje dhe ne pajtim me ligjin, në mënyrë që të siguroj kushte për një jetë të qete për të gjithë. Betohem!”, u shpreh Ahmeti.
Ahmeti edhe një herë u zotua se do të punojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës, me prioritet zbatimin e ligjit.
“Unë sot e bëra betimin, jo vetëm para jush, por para të gjithë qyetarëve se unë do të jem në shërbimin tuaj, në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrën më besnike, më të përgjegjshme. Ju ftoj edhe juve që të më ndihmoni sa më shumë në zbatimin e ligjit, i cili do të vlejë për të gjithë, qofshin ata njerëz të fuqishëm institucionalë, qofshin ata edhe anëtarë të partive politike, duke nisur nga Vetevendosje”, tha Ahmeti.
Në një sallë ku simboli shtetëror i Kosovës mezi dukej, për Shpend Ahmetin ishte i rëndësishëm fakti se po betohej para flamurit kuqezi.
“Më lejoni së pari të shpreh edhe falenderimin e administratës që sot pata mundësinë të bëj betimin para flamurit kombëtar”, tha Ahmeti.
Në këtë ceremoni, nuk ishte i pranishëm ish kryetari i Prishtinës Isa Mustafa. Ai priti Ahmetin në zyrën e kryetarit, ku edhe formalisht u bë dorëzim-pranimi i detyrës.
Isa Mustafa uroi Shpend Ahmetin për detyrën e re ndërkohë që Ahmeti falenderoi siç e quajti ai profesorin, për punën e deri tashme për qytetarët e kryeqytetit.Në ceremoninë e të enjtes u betuan edhe të gjithë asambleistët nga 10 subjekte politike të cilët u zgjodhën nga qytetarët për qeverisje komunale në Prishtinë. Gjatë ditës së premte pritet te shpallen edhe emrat e bashkëpuntorëve që do të jenë në krye të drejtorive të Komunës.
Top Channel