Përplaset avioni në aeroportin e Karolinës së Veriut, 6 persona humbin jetën, autoritetet: Shpërtheu në flakë Papa Françesku ka ngritur fortë zërin në mesazhin e tij të parë Urbi et Orbi, në sheshin Shën Pjetër, që paraditen e së mërkurës ishte mbushur me besimtarë.
Ka qenë një mesazh dedikuar tërësisht njerëzve që jetojnë mes vuajtjeve të luftrave, fenomene që shpesh herë shkaktojnë dhe flukset e emigracionit.
“Paqja e vërtetë nuk është ekuilibri mes forcave rivale. Nuk është një fasadë e bukur pas të cilës ka përplasje dhe ndasi. Paqja është një angazhim i përditshëm, por paqja është edhe artizanale, që çohet përpara përmes dhuntisë së Zotit, nga mëshira e tij që na ka dhuruar Jezu Krishtin. Luftërat vetëm marrin jetë”, ka thënë ati i shenjtë.
Në këtë drejtim, Papa nuk mund të mos i bënte referim konfliktit në Siri, i cili ka marrë shumë jetë njerëzish. “Palët në konflikt t’i japin fund çdo akti dhune dhe të lejojnë hyrjen e ndihmave humanitare”, ka thënë Papa Françesk.
“Shumë jetë janë marrë kohët e fundit nga konflikti në Siri, që ka sjellë vetëm urrejtje dhe hakmarrje. Vazhdojmë të lusim Zotin që të mbrojë popullin e dashur sirian nga vuajtjet dhe që palët t’i japin fund çdo akti dhune”, ka vijuar shenjtëria e tij.
Papa Françesku ka ftuar të gjithë që t’i bashkohen këngës së ëngjëjve natën e Krishtlindjeve, një këngë paqeje, “që është për çdo burrë e grua që rri zgjuar natën dhe shpreson për një botë më të mirë e që kujdeset për të tjerët duke u përpjekur të bëjë detyrën e tij”.
“Para së gjithash, këtë na e kërkojnë Krishtlindjet, që t’i japim lavdi Zotit, sepse është i mirë, besimplotë e i mëshirshëm. Në këtë ditë uroj të gjithë që të njohin imazhin e vërtetë të Zotit, Babai që na ka dhuruar Jezu Krishtin”, është shprehur Papa.
Ati i shenjtë nuk ka lënë pa përmendur edhe dramën e emigrantëve, duke iu drejtuar Zotit: “Dhuro shpresë dhe qetësi për refugjatët, sidomos për ata në Bririn e Afrikës dhe në Republikën Demokratike të Kongos”.
“Të mirëpriten emigrantët që udhëtojnë në kërkim të dinjitetit. Tragjedi si ajo e këtij viti, me shumë të vdekur në Lampeduza, të mos ndodhin më kurrë”, ka apeluar Papa përpara besimtarëve.
Top Channel