Mbi 3 mijë udhëtarë kanë mbërritur në Shqipëri përmes pikës kufitare të portit të Durrësit këtë Krishtlindje.

Tre tragete të linjës detare Bari-Durrës dhe një i linjës Brindizi-Durrës kanë sjellë paraditen e 25 dhjetorit rreth 3 mijë udhëtarë dhe 400 automjete, kryesisht emigrantë që kthehen në atdhe për të festuar e pushuar pranë familjeve.

Fluksi është përballuar në kohë reale nga policia kufitare, e cila ka shtuar shërbimet e saj. Në këtë fundviti janë në funksionim 30 sportele për të siguruar përpunim të shpejtë të udhëtarëve dhe mjeteve që zgjedhin të udhëtojnë përmes kësaj pike të kalimit kufitar.

Jo vetëm policia kufitare, por edhe autoriteti portual, dogana, kapiteneria dhe agjencitë detare kanë koordinuar punën për lehtësimin e proçedurave në kufi, si dhe bashkëpunim me shërbimet e policisë për të forcuar kontrollin në kufi.

Kjo, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, si dhe kapjen e personave në kërkim që shfrytëzojnë periudhat e fluksit për të qarkulluar pa u vënë re.

Festat, fluks edhe në Kapshticë
6392 persona kanë hyrë në vend nga Greqia

Dita e Krishtlindjeve ka gjetur qindra emigrantë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Ashtu si çdo vit tjetër, pjesa më e madhe e tyre zgjedhin që festat e fundvitit t’i kalojnë në vend pranë familjarëve dhe të afërmve duke iu drejtuar pikave të kalimit kufitar ku fluksi ka qenë i lartë.

Në pikën doganore të Kapshticës orët e para të mëngjesit kanë shënuar një dyndje të mjeteve dhe emigrantëve të cilët kanë hyrë në vend. Sipas të dhënave, përmes kësaj pike kanë hyrë 6.392 shtetas dhe kanë dalë 1.654.

Emigrantët në pritje për t’iu afruar sporteleve ku kryhet përpunimi i dokumentacionit edhe këtë vit kanë pohuar se vijnë në vend me më pak lekë për të shpenzuar, si pasojë e krizës greke.

Si pasojë e fluksit të lartë në pikën kufitare, mjetet janë vendosur në dy korsi, ndërsa pala jonë ka vënë në dispozicion 6 sportele kundrejt 2 të tillave nga pala greke. 

Top Channel