Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Facebook ka
folur për nominimin e tij për Çmimin Nobel për Paqe. Para së gjithash,
sipas tij, ky çmim i takon qytetarëve të Kosovës.

“Dje mora lajmin për nominimin për Çmimin Nobel për Paqe nga Kongresi amerikan. Sigurisht që u ndjeva i nderuar. Dua t’ju flas nga zemra: pavarësisht çka ndodh tutje, Nobelin për Paqe, heroizëm, qëndresë e pjekuri, më shumë se kushdo tjetër e meritoni Ju, qytetarë të Kosovës”, ka thënë Thaçi. Ai ka vlerësuar se, këtë çmim e meritojnë të gjithë ata që kontribuan në çlirimin dhe shtetformimin e vendit.

“E meritojnë mësuesit që me vetëmohim hapën shkollat e para e na mësuan gjuhën dhe historinë tonë. Profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, që çdo ditë ecnin në teh të rrezikut, që krahas dijes na edukuan me atdhedashuri e dinjitet. E meritojnë mjekët, që na shëruan plagët, ushtarët që në altarin e atdheut dhanë jetën për liri duke u bërë dëshmorë të përjetshëm, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, heronjtë e lirisë së Kosovës, që janë themeli i shtetit tonë të ri”, ka thënë më tej Thaçi.

Vendimet e tij politike kryeministri i ka arsyetuar se janë marrë në interes të Kosovës. “Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai në momente të caktuara, e kam marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim. Një shpresë e rilindur, një mundësi më e mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë ka qenë dhe mbetet motivi im i vetëm jetësor dhe politik. Besimi i juaj në këtë rrugëtim është vlerësimi më i lartë për mua. Të tjerat kanë më pak rëndësi. Prandaj nominimi për Nobel ju takon juve qytetarë të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Top Channel