Shtetet e Bashkuara kanë “dënuar sulmet ajrore të ndërmarra nga forcat e qeverisë siriane kundër civilëve, përfshi përdorimin kriminal të raketave Scud dhe fuçive me eksploziv, në zonën e Aleppo-s dhe periferitë e këtij qyteti”.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, i cili shtoi se “qeveria e Damaskut duhet të respektojë detyrimet përkatëse të parashikuara nga ligji ndërkombëtar humanitar, si dhe të mbrojë popullsinë civile të Sirisë”.
Reagimi i SHBA-ve vjen pas ditës së 8 radhazi të sulmeve ajrore në Aleppo, të forcave besnike të presidentit Bashar al-Assad kundrejt rebelëve opozitarë.
Në sulmin e fundit, sulmet me helikopterë të ushtrisë siriane kanë lënë të vdekur të paktën 56 vetë, përfshi fëmijë, duke hedhur fuçi me eksplozivë mbi qytetin verior të vendit, gjë që është konfirmuar edhe nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani.
Sulmet e ditës së diel kishin për objektiv periferinë e Aleppo-s, Masaken Hanano, ku janë goditur një market i shitjeve me pakicë, një ndërtesë 2-katëshe dhe një rrugë kryesore, bëjnë të ditur aktivistët.
Top Channel