Autoritetet ruse pushuan ndjekjen penale të 30 personave të akuzuar për huliganizëm, gjatë pjesëmarrjes së “Greenpeace” në një protestë në Detin Artik.
28 aktivistët e organizatës ambientaliste dhe dy gazetarë u arrestuan dhe qëndruan për javë në burgjet ruse, në pritje të gjykimit, pasi Moska e konsideroi aktin e tyre fillimisht si një vepër piraterie dhe më pas huliganizmi.
Të gjithë aktivistëve të “Greenpeace” iu akordua amnistia në bazë të një ligji të ri rus, të nënshkruar më parë gjatë dhjetorit nga presidenti Putin.
Nga amnistia përfituan të gjithë të burgosurit e moshuar, gratë, nënat me fëmijë, veteranët dhe në një nën të posaçëm, edhe aktivistët e “Greenpeace” e anëtaret e burgosura të grupit punk, “Pussy Riot”.
Falja me dekret presidencial, shfuqizoi automatikisht akuzat ndaj aktivistëve.
“Greenpeace” tentoi të bllokonte punën në një platformë ruse naftënxjerrëse në Detin Artik, me arsyetimin se rrezikonte të dëmtonte një ekosistem tejet delikat natyror.
Falja e aktivistëve të “Greenpeace” lehtëson Rusinë edhe nga një përballje diplomatike me Britaninë, Holandën dhe disa shtete të tjera perëndimore, nga të cilat vinin edhe shtetasit e arrestuar.
Top Channel