Pakistan, shtyhet gjyqi i Musharraf

24/12/2013 00:00

Gjyqi ndaj ish-udhëheqësit të regjimit ushtarak të Pakistanit, Pervez Musharraf, i akuzar si tradhëtar, është shtyrë për shkak se gjatë rrugës për në gjykatën e Islamabadit është gjetur eksploziv.

Për rrjedhojë, ai do të dalë përpara gjykatës speciale më 1 janar të vitit të ardhshëm. Më herët peticioni i tij – se vetëm një gjykatë ushtarake mund të shqyrtojë veprimet e tij – u refuzua.

Akuzat lidhen me vendimet e marra prej tij në vitin 2007, për pezullimin e kushtetutës dhe vendosjen e sundimit të emergjencës. Musharraf, i cili gjendet pas hekurave për shkak të disa akuzave të tjera, ka thënë se gjithçka që ngrihet kundër tij është e motivuar politikisht.

70-vjeçari përballet gjithashtu me akuza të veçuara për vrasje dhe kufizim të Gjyqësorit. Ai është i pari sundues ushtarak pakistanez, që çohet para drejtësisë me akuzën për tradhëti.

Musharraf mori pushtetin pas një grusht-shteti ushtarak në 1999 dhe qëndroi si president i vendit deri në vitin 2008, kur një qeveri e zgjedhur në rrugë demokratike e detyroi atë të jepte dorëheqjen. Vetëm pak kohë më pas, ai shkoi në mërgim.

Të hënën, avokatët e Musharraf argumentuan, pa ia dalë mbanë, se ai ishte shefi i ushtrisë në vitin 2007, ndaj dhe vetëm një gjykatë ushtarake kishte autoritet për ta gjykuar atë.

Por, Gjykata e Lartë e Islamabadit refuzoi peticionin e tij, gjithashtu u hodhën poshtë edhe vërejtjet mbi emërimin e gjykatësve dhe prokurorit. Musharraf rrëzoi nga pushteti ish-kryeministrin Nawaz Sharif, përmes një grusht-shteti të përgjakshëm.

Pas dorëheqjes së tij, në 2008-n, ai u largua nga Pakistani dhe jetoi në mërgim në Dubai dhe Londër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB