Numri i të varfërve në Malin e Zi është rritur gjatë 2013-s, treguan të dhënat e Institutit Kombëtar të Statistikave, “MONSTAT”.
Sipas këtyre të dhënave, shtresa e të varfërve është rritur në 11,3% ose rreth 70 mijë persona, të cilët jetojnë me më pak se 182 euro në muaj.
Këto statistika tregojnë një rritje të ndjeshme të varfërisë, gjykuar me faktin se në 2011-n llogariteshin si të varfër 9,3% e popullsisë dhe në 2010-n edhe më pak, vetëm 6,6%.
Rritja më e shpejtë e çmimeve se ajo e pagave apo të ardhurave të tjera ka qenë faktori kryesor që ka zhytur mijëra malazezë në varfëri gjatë vitit.
Pjesa më e varfër e vendit është zona veriore dhe verilindore, ku varfëria është dy herë më e lartë se në kryeqytetin Podgoricë apo zonat e tjera bregdetare.
Në qytet, varfëria llogaritet me 8,1% të banorëve, ndërsa në fshat me rreth 20%.
Në bazë familjare, familjet që priren të kenë më shumë se 6-7 anëtarë janë ato më të varfërat, ndërsa familjet me katër anëtarë janë ato më pak të goditurat nga mungesa e të ardhurave për zhvillimin e një jete normale.
Top Channel