Më shumë se 500 persona humbën jetën brenda vetëm një jave në Alepo, fortesën e kryengritësve sirianë të vendosur nën sulmin e ushtrisë së rregullt të Bashar al-Assad.
Kryeqendra ekonomike e vendit, pika më e rëndësishme e pushtuar prej kryengritësve, është bombarduar gjatë javës nga helikopterë dhe avionë ushtarakë me fuçi të mbushura me eksplozivë.
Një taktikë e përdorur për herë të parë në luftën civile pothuajse 3-vjeçarje, ajo e fuçive me eksploziv i ka shkaktuar humbje të rënda rebelëve.
Shumë prej viktimave kanë qenë luftëtarë apo civilë të mbetur në kurth, pasi ndërtesat në të cilat fshiheshin u shembën plotësisht.
Zyrtarisht, nga 15 Dhjetori kanë humbur jetën 495 persona vetëm në Alepo. Dhjetëra sirianë u vranë gjatë javës së kaluar në mënyrë të përditshme në pjesë të tjera të vendit.
Sipas ekspertëve, intensifikimi i luftimeve në këtë periudhë festive të vitit shpjegohet me dëshirën e palëve ndërluftuese për të fituar një kapital sa më të madh, përpara bisedimeve të paqes në Konferencën e Gjenevës, e cila do të zhvillohet në Janar.
Më shumë se 120 mijë sirianë kanë humbur jetën në luftimet e nisura në Mars 2013, 2,5 milionë ndodhet refugjatë jashtë vendit dhe 6,5 milionë vlerësohen si të pastrehë brenda Sirisë.
Nga 22 milionë banorët që Siria kishte përpara luftës, 3/4 e tyre do të kenë nevojë për asistencë ushqimore gjatë vitit 2014, beson OKB sipas një raporti të publikuar më parë gjatë Dhjetorit.
Top Channel