Deputetet e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, kërkuan sqarime nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri për kompaninë energjetike e cila do të krijohet me bazë në Veriun e Kosovës sipas marrëveshjes së 19 Prillit.

A do të krijohet një operator i dytë i furnizimit dhe shpërndarjes me energji vetëm për serbët e Veriut ishte dilema e krijuar gjatë raportimit të zëvendëskryeministres Tahiri në komisionin parlamentar për marrëveshjen energjetike me Serbinë.

Pika katër e marrëveshjes thotë  se kompania e re do të furnizojë me energji elektrike dhe mund të ofrojë shërbime të shpërndarjes për konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe dhe do të jetë në gjendje të bleje dhe të shesë energji ne tregun e hapur.

Theksohet se kompania do të nënshkruajë marrëveshje me Operatorin Sistemit dhe e Transmetimit, në mënyrë që të marrë pjesë në tregun e energjisë në Kosovë dhe të bëhet palë e balancuar dhe e përgjegjshme.

Pavarësisht përmbajtjes në letër, zëvendëskryeninistrja Tahiri shprehet se në Kosovë ka vetëm një operator furnizimi dhe shpërndarjeje dhe se kompania serbe do të jetë me karakter komercial si nënkontraktore e Kompanisë Kosovare për Distribuimin dhe furnizimin me energji elektrike.
 
Themelimi i kompanisë energjetike në veri do të bëhet pasi autoritetet rregullative të Kosovës dhe Serbisë deri me 1 korrik 2014 do ta hapin tregun në përputhje me kalendarin e përcaktuar nga traktati i komitetit të energjisë.

Në marrëveshje thuhet se palët janë dakorduar që kompania të formohet sipas kornizës ligjore dhe rregullatore kosovare.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë negorciuar tri vite për të arritur marrëveshjen për sektorin energjetik. Marrëveshja akoma nuk ka filluar të zbatohet dhe ndodhet në fazën e krijimit të planit për zbatim.

Top Channel