Kili, shpallet fajtor “Karvani i Vdekjes”

24/12/2013 00:00

Një gjyqtar në Kili ka shpallur fajtorë tetë ish-anëtarë të regjimit ushtarak për vrasjen e kundërshtarëve politikë gjatë qeverisjes së gjeneralit Augusto Pinochet.

Të akuzuarit ishin pjesë të të ashtuquajturit “Karvani i Vdekjes”, një operacion ushtarak që mendohet se shfarrosi mbi 100 kundërshtarë politikë të grushtit ushtarak të vitit 1973.

Dënimet variojnë nga tre deri në 15 vjet burg për vrasjen e 14 personave në qytetin verior Antofagasta, vetëm pak kohë pas grushtit ushtarak. Vendimi mund të apelohet.

“Karvani i Vdekjes” ishte një lloj delegacioni ushtarakësh të dërguar në qytetet provinciale të Kilit nga gjenerali Pinochet.

Ai deklaroi atëherë se nuk duhet të kishte mëshirë për “ekstremistët” dhe mbeti i dëshpëruar nga lajmet se disa komandantë ushtarakë në qytetet provinciale ishin treguar “të dobët” ndaj kundërshtarëve politikë.

Njësia ushtarake udhëtoi nga qyteti në qytet përmes një helikopteri “Puma”, e armatosur me granada, armë automatike dhe thika, duke vrarë kundërshtarët e regjimit të ri.

Njësia ushtarake mbërriti në qytetin Antofagasta, ku më 19 tetor 1973 urdhëroi që 14 të burgosur politikë të mbajtur aty të dërgoheshin në një luginë të thellë.

Atje, të burgosurit u ekzekutuan nga skuadra e pushkatimit. Të burgosurit ishin gjykuar dhe dënuar nga gjykatat ushtarake, por nuk u ishte dhënë ende vendimi përfundimtar.

Top Channel