Hakmarrja e kumbarit

24/12/2013 00:00

Vito Rizzuto vdiq ditët e fundit në shtratin e një spitali në Montreal.
Buletini mjekësor flet për “komplikime në frymëmarrje”. Do të jetë
kështu, por është mirë të pritet paksa para se të mbyllet përfundimisht
dosja.

Sepse Vito Rizzuto, 67 vjeç, kishte një histori të veçantë: ishte kreu i një familjeje të fuqishme të krimit të organizuar italian në Kanada.

Kumbari, pasi kishte shlyer një dënim të gjatë në Shtetet e Bashkuara, ishte kthyer në Montreal ku kishte shumë hesape për të larë.

Klani – Familja Rizzuto në këto vite ka qenë në shënjestër të grupeve rivale. Shumë anëtarë të saj, përfshirë të atin dhe djalin e Vito, janë vrarë në një betejë të ashpër për kontrollin e territorit. Montreali dhe rrethinat janë një treg i pasur për çdo lloj krimi, nga trafiku i drogës deri tek tenderat e punëve publike dhe ndërtimi.

Lufta u ashpërsua me angazhimin e vrasësve me pagesë, snajperave dhe tradhtarëve. Kështu, Rizzuto-t paguan një çmim të lartë, të përndjekur nga kundërshtarë po aq të fuqishëm sa ata. Por kur Vito përfundoi dënimin në burgun amerikan shpërtheu hakmarrja.

Hakmarrja – Sipas policisë kanadeze, janë 6 ose 7 vrasjet e fushatës së hakmarrjes së “donit” të vjetër. E fundit ka qenë ajo e Roger Vliquette, i vrarë më 18 dhjetor nga një vrasës që e kapi papritur teksa ndodhej në fuoristradën e tij.

Viktima ishte një person shumë i afërt i Joe Di Maulo, i pari që ra pas kthimit të Rizzuto në Kanada. Në nëntor, vrasësit kishin goditur duke vrarë në Meksikë një tjetër rival, Moreno Gallo. Sulme, përgjigje e manovra që treguan forcën e mafiozëve.

Simbolik ishte edhe eleminimi i Giuseppe De Vito. Bosi i krimit ndërroi jetë në qershor në qeli, një fund ky ende i pazbardhur. Dyshimet janë që De Vito të jetë helmuar me cianur.

Lufta – Ekspertët e mafias italo-kanadeze besojnë se misioni i Vito Rizzuto nuk ka përfunduar. Në rrugë ka ende shumë shënjestra, të “damkosur me vdekje” nga kumbari. Tani duhet zbuluar nëse besnikët e tij do të vazhdojnë apo jo gjuetinë. Kush e njeh mirë atë botë vlerëson se do të vijojë gjuha e armëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB