Vazhdimi i qëndrimit të EULEX në Kosovë pas qershorit 2014, kur i përfundon dhe mandati, do të vendoset në Bruksel.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i misionit evropian për rendin dhe ligjin, Bernd Borchardt, i cili në një intervistë për “RTK” ka theksuar se gjithçka do të vendoset mes Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Kosovës.

“Lidhur me mandatin e ri të EULEX-it do të diskutohet dhe do të arrihet një marrëveshje mes BE-së dhe qeverisë së Kosovës. Gjetja e kompromisit është një proces i komplikuar që pasqyron një numër zhvillimesh të rëndësishme mes Kosovës dhe BE-së”, ka deklaruar Borchardt.

Ai ka vlerësuar se 2013 ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për Kosovën në zhvillimin e marrëdhënieve me BE-në, duke e vënë theksin tek nisja e negociatave për nënshkrimin e MSA-së.

“Edhe negociatat për liberalizimin e vizave janë duke u zhvilluar dhe, ç’është më e rëndësishmja, me ndërmjetësimin e BE-së janë arritur shumë marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka nënvizuar Borchardt, i cili ka sqaruar edhe rolin e EULEX në këtë drejtim.

“Misioni ynë është shumë i angazhuar për të ndihmuar në zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Prandaj, ekziston nevoja për një përqasje të re, e cila merr parasysh qëndrimet e qeverisë së Kosovës”, ka vijuar Borchardt.

Top Channel